I shpërthejnë kufjet në avion, gruaja mbet me fytyrë të nxirë e shenja në duar (Foto/Video)

E publikuar: 15/03/2017 21:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Autoritetet australiane kanë paralajmëruar për rreziqet e përdorimit të pajisjeve mbushëse gjatë fluturimeve me aeroplanë, pasi kufjet e një gruaje u kapluan nga zjarri.

Gruaja në fjalë u zgjua nga tingujt e një shpërthimi teksa po udhëtonte nga Pekini në Melburn. Ajo hoqi me shpejtësi kufjet të cilat kishin filluar të shkriheshin nga shkaktimi i zjarrit.

BBC shkruan se shpërthimi dhe zjarri e lanë me fytyrë të nxirë dhe shenja në duar.

Udhëtarja, identiteti i të cilës nuk është bërë i ditur, sipas Zyrës për Siguri të Transportit në Australi (ATSB), ishte duke dëgjuar muzikë kur ndodhi shpërthimi.

“Kapa fytyrën me duar, gjë që shkaktoi që kufjet të më rrëshqisnin rreth qafës. E ndjeja se po digjesha dhe i hodha ato në dysheme. Shkëndijat shkaktuan edhe një sasi të vogël të zjarrit”, tha ajo.

Anëtarët e ekuipazhit të fluturimit ndihmuan dhe përfundimisht shuan zjarrin duke hedhur një kovë me ujë në kufje.
Deri në atë kohë, bateria dhe mbulesa plastike ishin shkrirë dhe mbërthyer në dysheme.

“Në pjesën e mbetur të fluturimit, pasagjerët duruan erën e plastikës së shkrirë, elektronikës dhe flokëve të djegur”, tha ATSB në raportin e saj.

Raporti nuk e përmend firmën e kufjeve, por besojnë se litiumi i baterisë, ishte shkaktari i mundshëm.

https://www.youtube.com/watch?v=cnK3SjyTLGM