Shpend Kursani: Refuzimi i Speciales ishte i drejtë. Dështimi i saj, fundi i koalicionit PDK- LDK

E publikuar: 29/06/2015 14:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

shpendkursani478Analisti politik, Shpend Kursani thotë se refuzimi i Gjykatës Speciale nga ana e Kuvendit të Kosovës ishte i drejtë. Ai në një intervistë dhënë për Gazetën Blic thotë se riprocedimi në Kuvend nga ana e Qeverisë e amendamentit kushtetues, i cili i hap rrugë krijimit të Gjykatës Speciale, është goditje për demokracinë në vend.

Kursani thekson se nëse do të dështoj Gjykata Speciale dhe do të vazhdon të zvarritet asociacioni i Komunave serbe, atëherë do të humb edhe arsyeja e ekzistencës së kësaj qeverie.

Kursani konsideron se themelimi i Aociacionit të Komunave serbe, do të jetë shumë i dëmshëm për Kosovën.

Më e rënda për Kosovën nga këto marrëveshje do të jetë themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili ka për qëllim përmbysjen e të gjitha përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar dhe vendorëve për integrimin e serbëve të Kosovës”, thotë ai.

 

Gazeta Blic: Z. Kursani, në seancën e së premtes dështoi themelimi i Gjykatës Speciale. Pati shumë debat nëse fitoi apo humbi Kosova nga mos votimi i amendamenteve kushtetuese. Cili është mendimi juaj, humbi apo fitoi Kosova me këtë refuzim të Gjykatës Speciale?

Shpend Kursani: Themelimi i Gjykatës Speciale nuk duhet shikuar nga prizmi i fitores apo i humbjes për Kosovën, por nga prizmi nëse ajo është e drejtë apo e padrejtë për Kosovën dhe për viktimat të cilat kanë pësuar gjatë luftës së fundit në Kosovë. Refuzimi që Kuvendi i Kosovës ia bëri themelimit të kësaj Gjykate mendoj se ishte i drejtë, edhe për Kosovën, e edhe për viktimat. Të fillojmë me drejtësinë për viktimat. Deri më tani drejtësia kaq e nevojshme ndërkombëtare është munduar të merret me krimet e luftës duke filluar nga Gjykata e Hagës, UNMIK-u, dhe EULEX-i, ky i fundit ende me kompetenca ekskluzive të merret me krimet e luftës. Nëse këto nuk kanë arritur dhe nuk po arrin të sjellin drejtësi për viktimat, nuk arrijë dot të kuptoj pse me Gjykatën Speciale pretendohet të arrihet një gjë e tillë, aq më keq, kur një Gjykatë e tillë do të merret në mënyrë selektive me krimet e njërës palë, e jo edhe me krimet e palës tjetër. Të kalojmë tek drejtësia për Kosovën. Është e vërtetë që Kosova nuk ka arritur të jetë e gatshme t’i gjykojë krimet e luftës, por kjo më shumë për shkak të partnerëve vendorë të akterëve ndërkombëtarë, të cilët ua amnistojnë krimet makabre politike, sociale e ekonomike mbi popullatën e Kosovës, pa dallim etnie, të partnerëve të tyre, kryesisht kriminel, vendorë. Mos votimi i Gjykatës Speciale nga Kuvendi do të duhej t’i dobësonte partnerët e dyshimtë vendorë të aketërëve ndërkombëtarë, me çka do të duhej të përfitonte Kosova në një prizëm afatgjatë. Andaj mendoj se drejtësi për viktimat e luftës mund të sjellë vetë Kosova, në masën që shtetet e tjera të Ballkanit e bëjnë, mirëpo kjo është e mundshme vetëm atëherë kur akterët ndërkombëtarë pushojnë së përkrahuri dhe amnistruari kriminelët vendorë. E kur drejtësia për Kosovën dhe për viktimat mbizotëron, atëherë mund ta diskutojmë nëse kjo ishte humbje apo fitore për Kosovën.

 

Gazeta Blic: Qeveria e Kosovës e ka riproceduar në Kuvend sërish këtë amendament kushtetues, i cili i hap rrugë themelimit të Gjykatës Speciale. Opozita e ka konsideruar si anti demokratik këtë veprim të ekzekutivit. Mund ta riprocedoj këtë amendament kushtetues sërish ekzekutivi, apo është antikushtetues një veprim i tillë?

 

Shpend Kursani: Riprocedimi i amendamenteve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale në Kosovë nga ana e Qeverisë është thirrje për bojkotim të demokracisë dhe funksionimit të shtetit me frymë demokratike e liberale në përgjithësi. Riprocedimi i tillë e shpije Kosovën ta përbrendësojë karakterin oligarkik, për të mos thënë diktatorial, të qeverisjes. Këtë e them për disa arsye. Fakti që kishte numër të mjaftueshëm të deputetëve që ta bllokojnë themelimin e Gjykatës Speciale, procedimi i sërishëm pak ditë më vonë i po të njëjtës çështje që u refuzua me 26 qershor 2015 paragjykon dinjitetin dhe pavarësinë e deputetit, dhe nënkupton ushtrim presioni dhe dhune psiqike mbi ta – çka është jo vetëm kundër Kushtetutës së Kosovës, por është kundër sistemit të një republike parlamentare. Por siç e thash në përgjigjën paraprake, këtu BE-ja dhe perëndimi në përgjithësi nuk e kanë dert demokracinë dhe parlamentarizmin, por e kanë dert mbajtjen e kukullave të tyre në Kosovë, pa marr parasysh që këto kukulla punojnë në vazhdimësi në përmbysjen e demokracisë dhe parlamentarizmit në Kosovë. Si rrjedhojë, mos të çuditen profesorët dhe studentët e shkencës politike dhe të filozofisë në çoftë se këtë përmbysje të demokracisë dhe parlamentarizmit BE-ja nuk do ta përmend në Raportin e saj të Progresit.

 

Gazeta Blic: Mediet kanë raportuar se ka qenë taktikë e drejtuesve të PDK-së dështimi i Gjykatës Speciale, kur e kemi parasysh faktin se komandantët e ish- UCK-së që janë pjesë e PDK-së votuan për, derisa disa deputetë më të rinj, votuan kundër. A mund të ketë pasur frikë edhe dikush nga drejtuesit e PDK-së nga kjo Gjykatë?

 

Shpend Kursani: Frikë nga çfarëdo gjykimi duhet të ketë cilido kriminel, i luftës apo ordiner, pa marr parasysh nëse ata mbajnë poste të larta shtetërore. Drejtuesit e PDK-së e dinë këtë më së miri besoj. Nëse ka kriminel lufte mes atyre që kanë votuar pro Gjykatës, atëherë mendoj këtë e kanë bërë jo për interesin e Kosovën, por për interesin e tyre individual duke shpresuar se një “mirësjellje” e tyre si kukulla ndaj një kërkese ndërkombëtare do të mund që potencialisht t’i amnistojë ata. Pra ata qe potencialisht mund të kenë kryer krime lufte dhe njëkohësisht e kanë përkrahur themelimin e Gjykatës Speciale, shpresojnë në një amnestim të tyrin, e jo gjoja se kjo është mirë për Kosovën.

 

Gazeta Blic: Partitë opozitare u mblodhën dje për të diskutuar për këtë çështje. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se e pranojnë Gjykatën Speciale, por me disa kushte. Mendoni se filloi tërheqja e opozitës nga pozicioni që kishte?

 

Shpend Kursani: Kjo varet se cilat qenkan ato kushte.  Mos vallë po dëshirojnë këta të vendosin kushte amnistie për vetën e tyre në mënyrë që ta përkrahin themelimin e një Gjykate për krime lufte. Nuk e di, duhet t’i shohim ato kushte. Mendoj se kushtet e secilit deputet duhet të sillen rreth një logjike kësisoj: duhet të themelohet një gjykatë për krime lufte në kuadër të kornizës ligjore të Kosovës; e hapur për prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë në kuadër të kornizës ligjore të Kosovës; e hapur për shtete të cilat janë të interesuar në mbrojtjen e dëshmitarëve; e hapur për kushtëzime nga ana e BE-së, që çfarëdo përfitimi nga ana e BE-së duhet të jetë në përpjesëtim të drejtë me funksionimin e duhur të kësaj gjykate në kuadër të kornizës ligjore të Kosovës. Kjo do të ishte e mirë edhe për viktimat por edhe për sistemin e drejtësisë në Kosovë. Alternativat qe janë prezantuar në Kuvend janë makth për viktimat, dhe vonesë për zhvillimin e drejtësisë në Kosovë.

 

Gazeta Blic: Z. Kursani, flasim në mënyrë hipotetike. Nëse edhe një herë Kuvendi do ta procedoj për votim këtë ndryshim kushtetues, dhe do të dështoj sërish, a mund të vij edhe deri tek lëkundja e koalicionit qeverisës PDK- LDK?

Shpend Kursani: Po. Sepse siç kam deklaruar edhe më herët, kjo qeveri është bërë dhunshëm për dy arsye: e para është themelimi i Gjykatës Speciale, dhe e dyta, themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Duke e para që kjo e dyta po zvarritet, dhe kjo e para po dështon, atëherë merr fundit edhe raison d’etre  e kësaj qeverie – pra, arsyeja e ekzistencës së kësaj qeverie e krijuar për qëllime të padrejta. Mundet eventualisht qeveria të shpëtojë përkohësisht edhe pak kohë nëse bëhet e dëgjueshme dhe e themelon me shpejtësi Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, pas të cilit rast pastaj bije menjëherë.

 

Gazeta Blic: Sot delegacioni i Kosovës po qëndron sërish në Bruksel. Mediet kanë paralajmëruar se mund të nënshkruhen edhe katër marrëveshje, përfshirë edhe asociacionin e Komunave serbe. Si i shihni këto marrëveshje, e posaçërisht atë për Asociacionin?

 

Shpend Kursani: Më e rënda për Kosovën nga këto marrëveshje do të jetë themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili ka për qëllim përmbysjen e të gjitha përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar dhe vendorëve për integrimin e serbëve të Kosovës. Ky Asociacion do të jetë mjaftë i dëmshëm sepse do të sigurojë ushtrim maksimal të pushtetit të Serbisë mbi territoret në Kosovë të administruara nga ky Asociacion, ku pushteti i Kosovës do të jetë vetëm se minimal apo nominal. Shprehur në mënyrë analogjike, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do t’i ngritë territoret në Kosovë të banuara me Serbë vertikalisht lartë të cilat pastaj do të kenë lidhje horizontale me Beogradin. Lidhja vertikale ia humb pushtetin Kosovës mbi këto territore, ndërkaq lidhja horizontale do ta përforcojë pushtetin e Serbisë mbi po këto territore.