Shpend Bajrami: Ne e mbajtëm fjalën, titulli i kampionit në Prizren

E publikuar: 24/05/2018 15:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bashkimi është shpallur kampion i Kosovës në basketboll, pasi ka mposhtur Prishtinën në ndeshjen e katërt me rezultat 77-61, për të mbyllur serinë me rezultat 3-1.

Ky është titulli i parë i kampionit për Bashkimin në historinë 73-vjeçare, i cili edhe erdhi në mbrëmjen më të madhe të parë ndonjëherë në Prizren.

Në një atmosferë impozante mbi tre mijë shikues ishin mbledhur në kryeqytetin historik të Kosovës, për atë që ishte absolutisht mbrëmja më e madhe basketbollistike e vitit, duke parë që vendasve u nevojitej vetëm një fitore për të siguruar titullin e parë në histori.

Shpend Bajrami, zyrtar i klubit prizrenas, teksa ka folur për Telegrafin ka kujtuar kohën kur kishte premtuar se në Prizren do të vjen titulli i kampionit të Kosovës.

“Objejtivi ynë kryesor ishte titulli i kampionit. Ne e mbajtëm fjalën dhe e sollëm trofeun në Prizren. Falënderoj të gjithë basketbollistët që kontribuuan në këtë sukses. Gjithashtu edhe tifozët Arpagjik’t, të cilët ishin forca jonë kryesore në arritjen e suksesit”, tha Bajrami.

Shpend Bajrami, një prej meritorëve të suksesit të prizrenasve

Ai më tutje tha se me disa prej lojtarëve do të përshëndetemi ndërsa për vitin e ardhshëm do të krijojmë një ekip edhe më të fortë.

Bajrami gjithashtu deklaroi se klubi do të vlerësojë situatën dhe ka mundësi që të marrim pjesë edhe në Champions League, por kjo varet prej financave që do t’i kenë portokallezinjtë sezonin e ardhshëm.

Theksojmë se Arpagjikët u kthyen në sallë, pasi tifogrupi bojkotoi klubin gjatë gjithë sezonit për shkak të disa mosmarrëveshjeve – por ata ishin më të zëshëm se kurrë dhe përkrahën skuadrën e tyre në mënyrë fantastike. /Telegrafi/