Shpend Ahmeti për herë të dytë nuk arrin të marrë më shumë se nëntë vota në asamble

E publikuar: 22/03/2018 15:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti për herë të dytë me radhë ka kërkuar votën e asamblistëve të kuvendit komunal për ta aprovuar raportin financiar të tre muajve të fundit të vitit të kaluar.

Edhe në tentimin e dytë Ahmeti nuk ka arritur të marrë më shumë se nëntë vota, aq sa kishte marrë edhe herën e parë. Me 33 vota kundër, 9 për e 3 abstenime, Kuvendi i Komunës së Prishtinës e ka kthyer mbrapshtë raportin buxhetor të tremujorit të katërt për vitin 2017.

Madje, i pari që kundërshtoi këtë raport ishte asamblisti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani, i cili tha se raporti i sjellë nga Drejtoria e Financave nuk është i plotë pasi në shumë raste mungojnë arsyetimet dhe shpjegimet për shpenzimet.

Ndërsa, asamblisti i LDK-së, Sokol Havolli, e cilësoi si ofendues e turpërues këtë dokument financiar, i cili sipas tij, as nuk mund të quhet raport pasi është qesharak, e madje edhe i palekturuar.

Insajderi kishte raportuar gjatë ditës së sotme për mungesën e votave që Ahmeti i ka në Komunën e Prishtinës. Kryetari i kryeqytetit gjatë gjithë mandatit të kaluar ishte ankuar në mungesë të votave, ndërsa përsëri edhe në mandatin e tij të dytë duket se do ta ketë të njëjtin problem./Insajderi.com