Shpejtim Bulliqi nis rrugëtimin për ta rrëzuar LDK’në në Llap

E publikuar: 16/02/2020 19:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-udhëheqësi i arsimit në Podujevë, Shpejtim Bulliqi, edhe zyrtarisht, është nominuar për Shef të Komunës. Profesori i gjeografisë po e nis rrugëtimin e ri për ta rrëzuar LDK’në nga pushteti 20 vjeçar në Llap.

Shpejtim Bulliqi kishte nisur karrierën politike në një parti të vogël për të kaluar në LDK. Ishte bërë mik e dost i ngushtë i Agim Veliut. Ky i fundit e kishte shpërblyer me një pozitë udhëheqëse në Llap. Ia kishte besuar udhëheqjen e arsimit.

Mirëpo, profesori i gjeografisë i prishi punët me Agim Veliun dhe LDK’në kur doli kundër shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi. U armiqësua shumë me partinë dhe vendosi të kalojë në Partinë e Albin Kurtit. Dega e VV’së në Podujevë është e udhëhequr kryesisht prej njerëzve që dikur ishin në PDK si Bajrm Ajeti e Sabri Kiçmari.

“Shpejtim Bulliqi është kandidat i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për kryetar të Komunës së Besianës. Me 95.76% antarësia e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, sot ka votuar pro kandidaturës së profesorit Shpejtim Bulliqi”, thuhet në njoftimin e VV’së së Podujevës.

Kjo parti Podujevës i referohet si Besianë ashtu siç bënte dikur PDK’ja. Emërtimet e qyteteve ishin ndërruar nga Partia e Hashim Thaçit por asnjëherë s’janë zyrtarizuar.

52-vjeçari nga Lluga e Podujevës do të ballafaqohet me Nexhmi Rudarin e LDK’së e Naim Fetahun e PDK’së.

Prej pasluftës, LDK udhëheq me Podujevën. Kryesisht Shef i Komunës ka qenë Agim Veliu, e për një kohë edhe ish-këshilltari i Fatmir Sejdiun, Ilaz Pireva.

Komuna e Podujevës, shtrihet në verilindje të Kosovës dhe ka sipërfaqe prej 633 Km2. Në bazë të disa vlerësimeve ka rreth 135.000 banorë. Përbëhet nga 76 fshatra.

Ka 3116 biznese me rreth 10.000 të punësuar. Numri më i madh i këtyre bizneseve janë të orientuara ne veprimtari tregtare, shërbyese dhe zejtare.

Podujeva shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme pasi Kryetari i dertashëm, Agim Veliu mori pozitën e Ministrit të Punëve të Brendshme.