Shpallen fituesit e garës “Hack Day Kosova 2017”

E publikuar: 16/10/2017 18:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në kampusin e UBT-së, në Prishtinë, është mbajtur ceremonia përmbyllëse e edicionit të dytë të garës për siguri kibernetike, “Hack Day Kosova 2017“, që përfundoi me certifikimin e pjesëmarrësve dhe me ndarjen e çmimeve, që u dhuruan nga rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi dhe nga udhëheqësi i divizionit UBT-CERT, Atdhe Buja.

Në bazë të rezultateve të treguara përgjatë orëve sa edhe zgjati hakimi i infrastrukturës, vendin e parë e fitoi ekipi i studentëve, i përbërë nga Edison Krasniqi, Redon Gashi, Irma Bashiq, Dren Dervishi dhe Salihe Pllana, vendi i dytë iu nda ekipit të përbërë nga Ismajl Pnishi, Shpetim Ibrani, Adriatik Saliaga dhe Atdhe Pnishi, kurse vendin e tretë e morën studentët, Liza Berisha, Tanush Mani dhe Valon Kadriu.

Gara e sivjetme ka përfshirë identifikimin e dobësive në infrastrukturën fizike dhe virtuale të sistemeve të ndryshme, që ishin të ekspozuara për këtë garë, pastaj hakimin e infrastrukturës WI-FI, si dhe hakimin fizik të pajisjes kompjuterike. Infrastruktura e “Hack Day Kosova 2017”, e dedikuar për testim, ishte plotësisht e izoluar nga rrjeti i jashtëm i internetit.

Aktiviteti “Hack Day Kosova 2017”, është organizuar për nder të Muajit Evropian për Siguri Kibernetike, dhe si i tillë, ka ngjallur interesim edhe tek institucionet dhe bizneset e ndryshme vendore e ndërkombëtare, që po e mbështesin në forma të ndryshme këtë garë. /PCWorld Albanian