Short “bujar” për Djokovic në Wimbledon

E publikuar: 26/06/2015 16:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Short i favorshëm për Novak Djokovic në Wimbledon.

Kampioni në fuqi i Grand-Slamit londinez parashikohet të ketë një rrugë të lehtë deri në finale. Mbrojtja e titullit për tenistin serb do të nisë me sfidën e raundit të parë ndaj Philipp Kohlschreiber që gjithsesi është e një shkallë jo të vogël vështirësie pasi gjermani ka dhuruar gjithmonë paraqitje të mira në fushat me bar, ndërsa një tjetër rrezik për Djokovic në rrugën e tij drejt finales mund të konsiderohet edhe Stan Wawrinka me të cilin serbi mund të përballet në gjysmëfinale. Megjithatë zvicerani nuk është një specialist i fushave me bar dhe duke u bazuar te faktet edhe numri 4 i Botës është një kundërshtar mëse i kalueshëm për 28-vjecarin.

Për fatin e mirë të serbit Federer, Murray dhe Nadal janë pozicionuar në krahun tjetër të shortit dhe mund të përballen me Nolen vetëm në finale. Numri 2 i Botës dhe 7-herë kampioni i Wimbledon Roger Federer do ta nisë turneun me ndeshjen ndaj boshnjakut Damir Dzhumur, ndërsa kundërshtari i Murray-it në raundin e parë do të jetë kazaku Mikhail Kukushin. Idhulli i tifozerisë vendase dhe fituesi i vitit 2013 do të ketë një mal të lartë për të ngjitur nëse dëshiron të triumfojë sërish në Wimbledon, pasi Murray në rrugën e tij drejt finales mund të gjejë përballë emra të tillë si Tsonga, Nadal dhe Federer. Sfidanti i Rafës në raundin e parë do të jetë braziliani Thomaz Belluci, ndërsa numri 5 i Botës Kei Nishikori do të masë forcat me italianin Simone Bolelli./ss/