Shoqata për të drejtat e pacientëve kërkon ndërprerjen e grevës

E publikuar: 27/12/2018 12:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK përmes një reagimi për media ka shprehur shqetësimin për gjendjen e pacientëve pas hyrjes së stafit shëndetësor në grevë.

“Ne konsiderojmë se stafi shëndetësor duhet të ketë paga në përputhje me detyrat, përgjegjësitë dhe punën që bëjnë. Kjo gjë mund të arrihet vetëm përmes ndërrimit të mënyrës së pagesës, përkatësisht duke e ndarë blerësin nga ofruesi i shërbimit shëndetësor dhe duke e aplikuar pagesën për përformancë”, thuhet në reagim.

Sipas PRAK, forma të tjera që janë aplikuar deri më tani, por edhe rritja e pagave të stafit mjekësor në të kaluarën, nuk e kanë përmirësuar cilësinë e shërbimeve, prandaj, e vetmja zgjidhje sipas kësaj shoqate  është që të ndahet blerësi nga ofruesi i shërbimeve shëndetësore, përkatësisht implementimi i skemës së Sigurimeve Shëndetësore.

“Është e pa pranueshme që stafi mjekësor t’i përdor pacientët si “mish për top” në “luftën” që ata po bëjnë me Qeverinë për rritjen e pagave të tyre. Viktimizimi i pacientëve në këtë mënyrë, është i pa drejtë kur e dimë se ka masa të tjera që mund të përdoren, siç është psh. Protesta”, thuhet ndër të tjerash në reagim.

PRAK shton se edhe një pjesë e stafit mjekësor jashtë organizimit sindikal ka hyrë në grevë.