Shoqata e Bankave të Kosovës paralajmëron qytetarët nga rreziqet e bitcoin

E publikuar: 01/02/2018 08:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Duke pasë parasysh interesimin e madh të publikut të gjerë për “valuta virtuale” të tilla si Bitcoin, Shoqata e Bankave të Kosovës paralajmëron publikun e gjerë dhe në veçanti klientët e sektorit bankar në Kosovë, për rreziqet e mëdha që ndërlidhen me këto investime.

Në pajtim me njoftimet e vazhdueshme të lëshuara nga autoritetet financiare evropiane si Banka Qendrore Evropiane (ECB) si dhe Autoritetit Bankar Evropian (EBA), si dhe paralajmërimet e Bankës Qendrore të Kosovës, Shoqata e Bankave të Kosovës njofton se ky instrument spekulativ i tregtueshem në internet, nuk njihet nga Ligjet e Kosovës dhe nuk njihet nga sistemi bankar si instrument pagese.

Si e tillë, kjo fushë nuk është e rregulluar me ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës, që do të thotë se ata që investojnë dhe tregtojnë me valuta virtuale, nuk janë të mbrojtur apo të garantuar nga asnjë institucion vendor apo ndërkombëtar dhe të gjitha rreziqet dhe përgjegjësitë merren përsipër nga vetë përdoruesi i këtyre instrumenteve. /Insajderi