Shoqata Boshnjako-Amerikane do shkarkimin e ministrit Crnadka, që vonoi vizat për basketbollistët nga Kosova

E publikuar: 11/08/2018 07:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shoqata Kombëtare Boshnjako-Amerikane (BANA) përmes një reagimi ka dënuar fuqishëm Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bosnje e Herzegovinës, e udhëhequr nga ministri Igor Crnadka, i cili ka dramatizuar lëshimin vizave për ekipin e basketbollit U16 të Republikës së Kosovës, për të marrë pjesë në kampionatin evropian të ekipeve kombëtare të kadetëve, Divizioni B, që po mbahet në i mbajtur në Sarajevë.

“Klane të mëdha nacionaliste serbe në Ministrinë e Jashtme të BeH në krye me Crnadkan, si dhe në Shoqatën e Basketbollit të BeH, kanë politizuar një ngjarje sportive si kampionati evropian i kadetëve që synon bashkimin e të rinjve të Evropës dhe zhvillimin e një sporti me shpirt garues dhe që miqësia e madhe në mes të të rinjve nuk njeh kufi”, thuhet në reagim.

Sipas kësaj Shoqate, vetë akti i vonesës deri në çastin e fundit të dhënies së vizave për shtetasit e Kosovës, “tregon se klanet nacionaliste dhe kriminale serbe përdorin institucionet e shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinës, në këtë rast Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Federatën e Basketbollit të BeH, për të përhapur racizmin dhe urrejtjen ndëretnike ndaj sportistëve të rinj, e përmes tyre edhe për qytetarët dhe për shtetin e Republikës së Kosovës, për të cilën shumica absolute e qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës kanë një mendim të mirë, lidhje familjare e miqësore”.

Shoqata Kombëtare Boshnjako-Amerikane fton institucionet shtetërore të Bosnjë e Hercegovinës që me seriozitetin maksimal të ndalojnë t’i vënë hije të keqe shtetit të Bosnjë dhe Hercegovinës.

“U bëjmë thirrje përfaqësuesve boshnjakë në nivelin më të lartë të shtetit të BeH-së, Presidencës dhe Këshillit të Ministrave, si dhe Federatës së Basketbollit, të dënojnë publikisht këtë akt të pandershëm dhe jo-tradicional me të cilin, deri në momentin e fundit, u bllokua që të premten, më 10 gusht 2018, të zhvillohet një ndeshje në mes të gjashtëmbëdhjetëvjeçarëve nga BiH dhe Kosova. Me një akt të tillë çnjerëzor dhe racist të zyrtarëve serbë, humbasin të gjithë njerëzit me mendim të lirë”, thuhet në reagim. “Së fundi, ata u mundën nga kadetët e nacionalitetit serb, të cilët me siguri kanë interes për sportet, të bëhen të vetëdijshëm për arritjet e tyre dhe jo për politikanët që qysh në fillim të zhvillimit të tyre i pengojnë ata të shkojnë përpara, krejt kjo për shkak të politikës nacionaliste të udhëhequr nga trashëgimtarët e kriminelëve të luftës Millosheviq dhe Karaxhiq”.

Kjo Shoqatë, i bënë thirrje Këshillit të Ministrave të BeH të shkarkojë menjëherë, Igor Crnadkon, nga posti i Ministrit të Punëve të Jashtme dhe kështu të ndalojë poshtërimin dhe turpërimin e institucioneve shtetërore.

“Me këtë rast, Shoqata Kombëtare Boshnjako-Amerikane u kërkon të gjitha institucioneve të BeH të njohin menjëherë pavarësinë e shtetit të Republikës së Kosovës dhe në të ardhmen të parandalojnë veprime të tilla dhe të ngjashme, që i shkaktojnë dëme të mëdha shtetit të BeH”, thuhet në reagim, derisa kështu, njëkohësisht, sipas saj, njohja e shtetit të Kosovës do të mundësojë lëvizjen e papenguar të qytetarëve, ribashkimin familjar, tregtinë e ndërsjellë dhe zhvillimin ekonomik.

“Ne deklarojmë se qytetarët e shtetit të Republikës së Kosovës kanë nënshkruar një marrëveshje me Republikën e Serbisë për tregti dhe lëvizje të papenguar të qytetarëve. Derisa për shkak të ndikimit të politikës së madhe serbe në BeH, kjo e drejtë iu është mohuar qytetarëve të BeH dhe Kosovës”.

Shoqata në fund thotë se “dëshiron të bëjë me dije publikut, veçanërisht në Kosovë, se pas gjithë këtij akti racist është Serbia e drejtuar nga presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili ndikohet nga satelitë ‘paganë’ të udhëhequr nga Milorad Dodik, të gjithë të ndikuar nga Kisha Ortodokse Serbe dhe SASA”, thuhet në fund të këtij reagimi.