Shokuese: E pranon gjatë transmetimit live, se e kishte përdhunuar dhe vrarë katërvjeçaren (Video)

E publikuar: 25/10/2016 13:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një burrë ka shokuar opinionin në Turqi, duke pranuar gjatë transmetimit “live” në televizion se kishte përdhunuar dhe më pas kishte vrarë një vajzë katërvjeçare.

Himmet Akturk ishte pajtuar që të jetë mysafir në një emision televiziv në Turqi, që ka për specialitet investigimin e dramave që ndodhin në familje, transmeton Telegrafi.

Prezantuesja e emisionit Muge Anli, ishte duke hetuar zhdukjen e katërvjeçares Irmak Kupal, e cila nuk ishte parë nga askush qëkur kishte dalë në lagje për të luajtur, derisa kjo ngjarje e tmerrshme raportohet të ketë ndodhur në Alasehir në pjesën perëndimore të Turqisë.

Prezantuesja Anli i kishte bërë presion Akturk-ut gjatë emisionit, dhe më në fund i dyshuari për vrasje kishte pranuar se është përgjegjës për vdekjen e vogëlushes.

Ai menjëherë ishte arrestuar nga policia ku edhe është marrë në pyetje, me ç’rast pranoi të shpjegojë në detaje rastin e kobshëm. Akturk raportohet se i ka thënë policisë se e kishte përdhunuar dhe më pas ngufatur, derisa trupin e kishte varrosur në një vend të panjohur.

Ai kishte pranuar se trupin e pajetë fillimisht e kishte futur në një thes, të cilin e kishte transportuar me karrocë deri te kontejnerët e mbeturinave të qytetit.

Por me të kuptuar se ato nuk ishin zbrazur nga pastruesit e qytetit, e kishte marrë trupin nga kontejneri dhe e kishte varrosur.

Policia menjëherë kishte filluar të gërmojë në vendin ku ai kishte thënë se e kishte varrosur trupin dhe pas dy ditëve kërkim, kanë arritur të gjejnë flokë dhe pjesë të trupit të saj.