Çelaj: Prishtina është shtab i Vetëvendosjes për punësim të militantëve

E publikuar: 18/09/2017 22:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati i PDK-së për Prishtinën, Lirak Çelaj duke folur për gjendjen e arsimit në Komunën e Prishtinës, ka pasur një varg kritikash për kryetarin aktual, Shpend Ahmetin dhe qeverisjen e tij.

“Shkollat janë politizuar tej mase, kam shpresuar që shkollat do të jenë të depolitizuara”.

“Mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollave në Prishtinë janë figura politike. E kam thënë vazhdimisht që Prishtina është shndërruar në shtab të Vetëvendosjes për të punësuar jo vetëm militantë nga Prishtina por kanë mbledhur militantë nga gjithë Kosova për të zënë vendin e atyre që jetojnë në Prishtinë e nuk mund të punësohen”.

“Shpendi është vënë në funksion të shërbimit të partisë së tij”.

Çelaj në “Zona e Prishtinës” në Klan Kosova ka bërë premtimet e tij se si do të merret me çështjet e arsimit nëse do të zgjedhet në krye të Prishtinës.

“Po e bëj këtë zotim, unë nuk do të merrem me probleme të nivelit qendror, nuk do të jem sikur këta të tjerët që janë kryetar vetëm të qytetarëve që i përkasin subjektit të tyre”.

“Unë vij nga një subjekt politik por do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve pa marrë parasysh cilës parti politike i përkasin. Unë nuk i ndaj njerëzit në vija politike”.

Çelaj ka thënë se politizimi është një nga problemet e shkollave në Prishtinë, e që sipas tij nëse zgjedhen kuadro cilësore atëherë ndihmohet edhe në cilësinë e përgjithshme të arsimit në kryeqytet.