Shkupi u tregua nikoqir i mirë, Super Kupa kaloi në atmosferë ideale

E publikuar: 09/08/2017 09:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Maqedonia dhe Shkupi arritën që me sukses ta justifikojnë besimin e UEFA-s për organizimin e ndeshjes së Super Kupës së Evropës në stadiumin e qytetit në Shkup, ku u përballën Real Madridi dhe Manchester Unitedi.

Pa asnjë incident, me atmosferë të bukur organizative Shkupi tregoi se mund të organizojë ngjarje të mëdha botërore, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Mbi 300 shtëpi televizive nga rreth 200 shtete kanë transmetuar spektaklin e mbrëmshëm. Sipas vlerësimeve, ndeshjen e kanë përcjellur deri një miliardë shikues, që është ngjarja e dytë më e shikuar pas Lojrave Olimpike në Rio. Atmosfera ishte ideale si në stadium, poashtu edhe jashtë tij.

Përveç disa arrestimeve që u bënë nga Ministria e Punëve të Brendshme për shitje jo-ligjore të biletave për ndeshjen dhe brendeve të ekipeve pjesëmarrëse, nuk është regjistruar incident tjetër.

Maqedonia deri tani nuk ka qenë organizatore e një ngjarje të tillë, por arriti me sukses ta kalojë dhe të tregojë se është e aftë që edhe në të ardhmen të organizojë ngjarje të tilla sportive.

Ajo që përfitoi Maqedonia dhe Shkupi nga organizimi i ndeshjes së “UEFA Super Cup” ishte promovimi falas nga shumë shtëpi mediatike.

Shkupi është qyteti i parë në rajon që mori të drejtën e organizimit të një ndeshje të madhe futbollistike./Telegrafi/