Shkup: Rritja e rasteve me COVID-19, si pasojë “e testimeve të shumta”

E publikuar: 16/06/2020 21:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Maqedonia e Veriut po vazhdon të ketë shifra të larta të të infektuarve me koronavirus. Ky shtet, krahasuar me vendet e rajonit ka shkallë të lartë të vdekshmërisë nga ky virus, përkatësisht mbi 90 të vdekur në një milion banor.

Numri i përgjithshëm i rasteve me COVID-19 (sëmundja që e shkakton koronavirusi), që prej fillimit të pandemisë e deri të martën, ka arritur në 4,289 raste, ndërsa 201 persona kanë vdekur.

Më shumë se gjysma e viktimave nga koronavirusi janë regjistruar gjatë muajit të fundit, përkatësisht nga 15 maji deri më tani.

Autoritetet shëndetësore në vend thonë se situata është nën kontroll, por sipas tyre, numri i lartë i të infektuarve i atribuohet numrit të madh të testeve që po kryhen në Maqedoninë e Veriut. Ndërkaq, sa i përket numrit të lartë të viktimave, autoritetet thonë se kjo po ndodh si pasojë e neglizhencës së pacientëve dhe paraqitjes para mjekëve, në fazën kur sëmundja ka avancuar.

Arben Ziberi, drejtor i shëndetit publik, thotë për Radion Evropa e Lirë se ditëve të fundit, brenda periudhës 24-orëshe, po kryhen rreth një mijë teste për koronavirus. Kjo sipas tij ka bërë që numri i të infektuarve të jetë i lartë, pasi po zbulohen edhe rastet e personave të infektuar, por që nuk kanë simptoma të sëmundjes.

“Këto dy javët e fundit, ne realisht kemi një numër të madh të të infektuarve. Ne si institucione shëndetësore vlerësojmë se kjo është si rezultat i lehtësimit të masave dhe duke pasur parasysh se virusin e kemi ende prezent këtu tek ne, duket se nuk respektohen rekomandimet nga komisioni i sëmundjeve ngjitëse siç është mbajtja e maskave, ruajtja e distancës, dhe mosgrumbullimi i shumë personave. Nga të dhënat epidemiologjike që kemi nga epidemiologët, të cilët kontaktojnë me personat e infektuar, del se ata kanë pasur kontakt me persona të infektuar, pa respektuar masat”, thotë Ziberi.

Por, ekspertët e shëndetësisë paralajmërojnë se nëse nuk veprohet me kohë, situata me koronavirusin mund të dalë jashtë kontrollit.

“Maqedonia e Veriut ka shënuar mbi 90 të vdekur në një milion banorë. Këto të dhëna janë të këtilla në mungesë të regjistrimit të popullsisë, por në bazë të e disa informacioneve që thonë se në shtet nuk ka më shumë se 1 milion e gjysmë banorë, atëherë realisht përqindja e viktimave nga koronavirusi në një milion banorë është shumë më e lartë. Ne kemi mbi katër mijë të infektuar, dhe mbi 2 mijë pacientë aktivë me koronavirus, ne veçse jemi në krizë. Sipas një algoritmi, për 20 ditë numri i të infektuarve mund të arrijë në 7 mijë e 800 të infektuar, me këtë ritëm mund të bllokohet i tërë sistemi shëndetësor”, thotë për Radion Evropa e Lirë mjeku Sasho Stojçev.

Ndërkaq, ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari thotë se një prej arsyeve se pse në Maqedoni të Veriut ka numër të lartë të viktimave nga COVID-19, është moshospitalizimi në kohë i të infektuarve me koronavirus.

Ai kujton se një e katërta e numrit të përgjithshëm të viktimave nga COVID-19 jetën e kanë humbur ditën që janë pranuar në spital. Kjo sipas tij do të thotë se në të shumtën e rasteve ose nuk kanë reaguar me kohë institucionet ose pacientët nuk kanë pasur fare njohuri se kanë qenë të infektuar me koronavirus.

Maqedonia e Veriut të martën ka regjistruar 134 të infektuar me koronavirus dhe tetë të vdekur me çka numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 201. Pesë nga të vdekurit janë nga Shkupi, dy nga Tetova dhe një nga Kumanova.

Sa i përket të infektuarve, 97 janë nga Shkupi, 11 nga Tetova ndërsa të prekurit e tjera janë nga 11 qytete tjera. Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, të dhënat i referohen testimit të 1,173 mostrave në 24 orët e fundit.