Shkup: Prodhuesit kërkojnë të lejohet eksporti i lules së kanabisit

E publikuar: 11/11/2019 19:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prodhuesit e kanabisit para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut kanë kërkuar që të lejohet në një afat prej shtatë ditësh eksporti i luleve të kanabisit, duke theksuar se ka rrezik që lulja e kanabisit të thahet dhe e njëjta të shkojë dëm.

Kultivuesit e kanabisit kanë kërkuar që me urgjencë të miratohet ligji i ri për kontrollin e barnave opiod dhe substancave psikotrope i cili u tërhoq nga procedura parlamentare pasi opozita maqedonase VMRO DPMNE-së tha se ky ligj po miratohet për të kënaqur interesat e personave që kanë lidhje të ngushtë familjare me kryeministrin e vendit, Zoran Zaev.

Kultivuesit e kanabisit nuk kanë dashur të japin detaje se për çfarë sasie të lules së kanabisit bëhet fjalë, por kanë theksuar se nëse nuk miratohet ligji brenda një jave do të pësojnë dëme të mëdha kompanitë që merren me prodhimin e kanabisit.

“Ky mall nuk mund të presë, lulja e kanabisit duhet të ekstrahohet (t’i nxirret ekstrakti) sepse bëhet fjalë për diçka organike dhe si e tillë nuk mund të pres. Për çdo ditë ne pësojmë humbje gjithnjë e më shumë përderisa lulja e kanabisit mbetet në magazinë”, ka theksuar Konstadin Dukovski nga Shoqata për kultivim të kanabisit mjekësor “Makkanabis”.

Ai njëherësh ka bërë të ditur se ka biseduar dhe me opozitën dhe se për momentin duhet të lihen anash inatet mes partive politike sepse dëmi është i madh, ndërkohë që në industrinë për prodhimin e kanabisit janë përfshirë edhe më shumë kompani të huaja krahas atyre të vendit me një kapital prej më shumë se 150 milionë euro duke përfshirë 800 të punësuar.

Konstadin Dukovski nga Shoqata për kultivim të kanabisit mjekësor “Makkanabis”, tha se biznesi me kultivimin e kanabisit është duke u zhvilluar me shpejtësi të madhe andaj dhe po rritet edhe nevoja për punësime të reja.

“Në shumë raste në shumë konferenca shtypi u tha se ligji do të ndërrohet dhe se do të lejohet mundësia për eksport të lules. Atë deri tani nuk e pamë. Do të dëshiroja të apeloj te Qeveria në afatin e mundshëm më të shpejtë të kalohet ligji në fjalë, nëse nuk arrijnë ta kalojnë ligjin siç ishte propozuar të ndërrojnë vetëm një nen ku do të përfshihet lejimi për eksport të lules së kanabisit”, tha Dukovski.

Ndërkohë, opozita maqedonase VMRO-DPMNE gjatë qeverisjes së cilës u miratua ligji për prodhimin e kanabisit për nevoja mjekësore kanë drejtuar kritika të ashpra ndaj kreut të qeverisë Zoran Zaev sipas të cilëve me licencë për kultivimin e kësaj bime janë pajisur kompanitë që kanë lidhje familjare me kryeministrin Zaev.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe më herët kishte theksuar se paratë që do të fitohen nga licencimi i prodhimit të kanabisit për nevoja mjekësore do të destinohen për trajtimin e sëmundjeve të rralla.