Shkup: Mësimi online me vetiniciativë të arsimtarëve

E publikuar: 17/03/2020 18:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shumë shkolla fillore dhe të mesme madje dhe mësues në mënyrë të pavarur në Maqedoninë e Veriut janë duke u organizuar, përkatësisht aplikojnë mësimin online me nxënësit e tyre në rrjetet sociale ndërkohë që në Maqedoninë e Veriut kjo është java e dytë nga ndërprerja e procesit arsimor në të gjitha nivelet si masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Ministria e Arsimit në Maqedoninë e Veriut së fundmi ka ofruar një listë të platformave, dhe aplikacioneve digjitale pa pagesë në shërbim për nxënësit që ata gjatë izolimit në shtëpi të mbeten të kyçur në procesin edukativo-arsimor.

Megjithatë, nga Ministria e Arsimit thonë se mësimi klasik online që zbatohet në shumë vende të Evropës nuk është i mundur në vend , për shkak se për këtë çështje mungon rregullativa ligjore.

“Jo të gjithë fëmijët veçanërisht grup moshat më të vogla kanë aftësi për tu shërbyer me pajisjet elektronike ose mund të përqendrohen një kohë më të gjatë për të ndjekur mësimin online”.

“Njëherit, aplikimi i mësimit online determinohet nga kualiteti i rrjetit të internetit, në aspektin e cilësisë ka dallim të madh mes vendbanimeve urbane dhe jourbane gjë që nxënësit i vendos në një pozitë jo të barabartë”, tha Ministria e Arsimit.

Por, nga Unioni i Nxënësve në Maqedoninë e Veriut, thonë se mësimi online duhet të aplikohet sa më parë në formë institucionale në përputhje me praktikat e vendeve të zhvilluara evropiane sepse zëvendësimi i leksioneve të humbura gjatë verës ka dëshmuar se është joefikas.

“Duhet ta dimë se nëse vazhdohet me pushimin në shtëpi si rrjedhojë e gjendjes së krijuar nga koronavirusi mendoj se menjëherë duhet gjetur një zgjidhje e menjëhershme nga Ministria e Arsimit për shkak se bëhet fjalë për një periudhë më të gjatë të vetizolimit të nxënësve në shtëpi dhe kjo do të na dëmtojë neve për përvetësimin e njësive mësimore”, tha për Radion Evropa e Lirë, Blendi Hodai.

Nga ana tjetër, Nora Kaliqi, prind, thotë se është për t’u përshëndetur vetiniciativa e shumë mësuesve përmes grupeve të ndryshme në rrjetet sociale, por shton se aplikimi i mësimit online në formë institucionale është zgjidhja e duhur.

“Është për t’u përshëndetur vetiniciativa e mësuesve, arsimtarëve, për të nxitur, stimuluar fëmijët që të mësojnë çdo ditë, pra të mbeten të kyçur në procesin edukativo-arsimor”.

“Mirëpo, duke bërë krahasimin mes shkollave private dhe atyre publike pasi dy fëmijë kam në shkollë private ku menjëhërë ka filluar aplikimi i mësimit online dhe një në shkollë publike ku mësueset me vetiniciativë i nxisin fëmijet për të mësuar, mendoj se mësimi online duhet të mbulojë sa më parë dhe shkollat publike sepse është shumë efikas në gjendje si kjo e tanishmja”, thotë Kaliqi.

Ekspertët e inxhinierisë teknologjike, për Radion Evropa e lirë thonë se për aplikimin e mësimit elektronik nevojitet një qasje sistemore.

Filip Stojanovski, ekspert i teknologjisë informative thotë se fillimisht duhet të përshtaten njësitë mësimore për mësim digjital edhe jashtë objekteve shkollore.

“E gjithë kjo, është pjesë e mungesës së një qasjeje sistemore me vizion që duhej të inkorporohet në sistemin arsimor. Së pari do të duhet të bëhen ndryshime ligjore adekuate në këtë drejtim”, thotë Filip Stojanovski, ekspert.

Ndërkaq, Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, gjatë fundjavës ka theksuar se nxënësit dhe prindërit gjatë qëndrimit në shtëpi duhet të shfrytëzojnë kohën përmes ndjekjes së programit edukativ në shërbimin publik të quajtur “Tv Klasa” me përmbajtje edukative për lëndët mësimore që i mësojnë në shkollë duke filluar nga kjo e hënë.

Nga Ministria e Arsimit, njëherësh kanë theksuar se në bashkëpunim me byronë për zhvillim të arsimit, në përputhje me ligjin për arsim fillor dhe atë ët mesëm në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, do të përgatisin një plan për përfundimin e vitit shkollor për Të cilin plan do të japin më shumë detaje ditëve në vijim.