Shkup: Dita e fundit e fushatës për zgjedhjet presidenciale

E publikuar: 03/05/2019 16:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partitë politike dhe kandidatët e tyre për president të Maqedonisë së Veriut, të premten në mesnatë mbyllin fushatën elektorale për rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen të dielën, më 5 maj.

Stevo Pendarovski, kandidati i koalicionit qeveritar të udhëhequr nga social-demokratët e kryeministrit, Zoran Zaev dhe Gordana Siljanovska-Davkova, kandidate e VMRO-DMPNE-së opozitare, gjithë fushatën e kanë zhvilluar në tërheqjen e votave të shqiptarëve, që besohet se janë vendimtare për fitoren e tyre, bazuar në rezultatin e ngushtë të rrethit të parë, në vetëm 4500 vota në favor të Pendarovskit.

Zgjedhjet e së dielës do të jenë të vlefshme vetëm nëse në votime dalin mbi 40 për qind e trupit të përgjithshëm votues, andaj edhe dalja e votuesve shqiptarë vlerësohet si vendimtare për suksesin e zgjedhjeve. Në rrethin e parë të votimeve pjesëmarrja ka qenë vetëm 41.79 për qind.

Dy kandidatët, në paraqitjet e fundit janë ndalur në çështjet që kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Ohrit, Ligjin për gjuhën shqipe, sundimin e ligjit si dhe Marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit.

Një bilbord i Pendarovskit, kandidatit për president të Maqedonisë së Veriut. Shkup, 3 maj, 2019.

Një bilbord i Pendarovskit, kandidatit për president të Maqedonisë së Veriut. Shkup, 3 maj, 2019.

“Unë konsideroj se Marrëveshja kornizë e Ohrit është e shkëlqyeshme, unë mendoj se Ligji për gjuhët ishte i nevojshëm, gjithashtu mendoj se Marrëveshja e Prespës për çështjen e emrit paraqet derë për hyrje në NATO. Këto janë ato pikat për të cilat mendoj se qytetarët edhe do të vendosim më 5 maj, se kush do të jetë president i shtetit. Oferta ime është krejt e ndryshme nga ajo e Siljanovskës. Ajo në rrethin e parë thuajse aspak nuk ka përmendur shqiptarët etnikë, sikur ata të mos jetonin këtu, tani në fushatën për rrethin e dytë ajo ndryshoi retorikën sigurisht për përfitim të votave”, ka deklaruar Pendarovski në një paraqitje para opinionit.

Por, kandidatja e VMRO-DPMNE-së,Gordana Siljanovska-Davkova, thotë se qytetarët janë të lirë të vendosin se për këtë do të votojnë, por se ajo asnjëherë nuk i kanë ndarë ata në bazë të përkatësisë etnike, politike apo fetare dhe se është pushtetit sipas saj që tenton me të gjitha metodat për ta prezantuar atë antishqiptare apo se mbron koncept të shtetit një-etnik.

Një grua kalon pranë bilbordit të Sijanovska-Davkova, kandidates për presidente të Maqedonisë së Veriut. Shkup, 3 maj, 2019.

Një grua kalon pranë bilbordit të Sijanovska-Davkova, kandidates për presidente të Maqedonisë së Veriut. Shkup, 3 maj, 2019.

“Unë kam respekt për të gjithë qytetarët. E drejta e votës është e drejtë personale dhe çdokush gëzon të drejtën që të veprojë ashtu siç mendon. Shqiptarët kanë nevojë për Ligj për gjuhën, por një ligj që nuk është në kundërshtim me Kushtetutën… Unë kam zhvilluar takime me shqiptarë, edhe takimet e fundit i kam zhvilluar me përfaqësues të këtij komuniteti, me ish-studentë, intelektualë, që t’i sqarojë atyre se pa sundimin e shtetit ligjor ne u japim mundësi partive që të bëjnë pazar me votat tona, madje edhe me jetën tonë, me punësimet tona, e kështu me radhë”, ka deklaruar Siljanovska-Davkova.

Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim që mbështet Stevo Pendarovskin, si kandidat konsensual ka ftuar shqiptarët që të dalin në zgjedhje dhe të votojnë për NATO-n dhe BE-në, siç ka thënë kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti.

“Më 5 maj votohet për NATO-n, për Bashkimin Evropian. Më 5 maj jepen porosi të rëndësishme sepse ky vend është i përgatitur për të hapur negociata edhe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, pasi në të kundërtën dërgohet porosi shumë e keqe që u jep armë e argumente të gjithë atyre vendeve evropiane që janë kundër hapjes së negociatave në qershor për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Gjithashtu u jepet armë e argumente të gjithë atyre vendeve që mund të hezitojnë dhe mund të presin që të bëjmë një veprim që na kthen pas nga anëtarësimi i plotë i vendit tonë në NATO”, ka deklaruar Ahmeti.

Opozita shqiptare, e cila në rrethin e parë mbështeti kandidatin shqiptar, Blerim Reka, ka përsëritur qëndrimin e fushatës elektorale se “mbështetësit e saj nuk i llogarit pronë dhe plaçkë në funksion të interesave besnike të individëve të veçantë”, por megjithatë i ka ftuar që të dielën, më 5 maj, “me dinjitet dhe si të barabartë të shprehin qëndrimin e tyre, për NATO-n dhe BE-në”, siç thuhet në komunikatën e Aleancës për Shqiptarët.

Edhe kandidati i kësaj parti, Blerim Reka, i ka bërë thirrje votuesve të tij që të dalin në votime në rrethin e dytë të zgjedhjeve pasi, sipas tij, në këtë mënyrë do të shpëtohet procesi i integrimit euro-atlantik të vendit.