Shkon në 32 numri i viktimave nga vërshimet në Afganistan

E publikuar: 30/03/2019 14:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një zyrtar i qeverisë afgane ka njoftuar se të paktën 32 persona kanë vdekur për shkak të vërshimeve në pjesën perëndimore të Afganistanit. Vërshimet kanë shkatërruar shtëpi dhe i kanë dëmtuar strehimoret që shfrytëzoheshin nga familjet e zhvendosura.

Vërshimet e shkaktuara nga reshjet e mëdha të shiut filluan të shpërndahen të enjten dhe shkaktuan shumë dëme material në shtatë provinca të ndryshme të këtij vendi. Lajmin e bëri të ditur Hasibullah Shir Khani, zëdhënës i Autoritetit Kombëtar për Menaxhimin e Fatkeqësive.

Ai shtoi se 12 persona janë shpallur të zhdukur dhe më shumë se 700 shtëpi janë shkatërruar ose janë dëmtuar rëndë.

Këto vërshime e kanë përkeqësuar situatën që edhe më parë ishte dëshpëruese. Qindra mijëra njerëz ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre vitin e kaluar nga ky rajon për shkak të thatësirës së madhe dhe luftës me talibanët, e cila filloi para 17 vjetësh.

Vërshimet që ndodhën në fillim të muajit mars shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale dhe i vunë në rrezik tokat e mbjella me grurë.

“Shtëpia dhe toka ime bujqësore janë shkatërruar nga vërshimet. Nëse shkoni ta shikoni shkatërrimin, do të ju bëjë të qani”, tha Shir Ahmad, i cili jeton në një fshat të provincës Herat, pranë kufirit me Iranin.

Vërshimet kanë shkatërruar qindra shtëpi, disa zona historike, mijëra hektarë të tokave bujqësore, ura dhe autostrada, shkruan “Reuters”, transmeton Express.