Shkollat e Hashimit!

E publikuar: 16/07/2015 20:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Adrian Çollaku

“Nuk na intereson cilësia. Neve na interesojnë votat”. Me këto fjalë i ishte drejtuar njëri ministër i Hashim Thaçit, njërit prej udhëheqësve të Universitetit të Prishtinës, para disa vjetësh, teksa ky i fundit ishte ankuar se rritja e numrit të studentëve do të jetë problematike për kapacitetet që i kishte atëbotë universiteti më i madh publik në vend.

Dhe kjo fjali e atij ministri, flet më së miri për gjendjen në të cilën janë universitetet në vendin tonë. Për t’u mos u mjaftuar me këtë fakt- rritjen enorm dhe pa kontroll të regjistrimit të studentëve në Universitetin e Prishtinës, brenda pesë vjetësh, Qeveria e drejtuar nga Hashim Thaçi, hapi hiq më pak se gjashtë universitete të reja publike.

Thuajse asnjëri prej këtyre universiteteve nuk hapi ndonjë drejtim ekskluziv, ku studentët e këtyre universiteteve do të dallonin nga ai i Prishtinës.

Thjesht, u bë duplifikimi i drejtimeve, që i kishte UP-ja. Madje, për më keq, po ky staf akademik, që nuk i pati kapacitetet për të përcjell gjithë ata studentë të pranuar jashtë tregut të punës në UP, duhet t’i mbaj edhe ato universitete të reja të krijuara.

Mirëpo, Hashim Thaçi dhe ministrat e tij, e kanë menduar mirë se çka do të përfitojnë nga këto universitete.

Si qëllim të parë, kanë hapjen e vendeve të reja të punës për militantët partiak, gjegjësisht sistemin e tyre shumë stabil, kur kemi parasysh faktin se pagat në universitete janë mjaft të larta. Dhe kësisoj, ruajtjen e elektoratit.

Dhe së dyti, PDK e Hashim Thaçi përmes hapjes së universiteteve dhe rritjen e numrit të studentëve, e bën edhe më qëllim “zvogëlimin” e papunësisë. Kjo, taktikë e tyre, është e menduar mirë, për faktin se ata që studiojnë, nuk konsiderohen të papunë, duke e ulur kështu me automatizëm rrezikun real për trazira sociale dhe numrin e të papunëve në vend.

Për cilësi as mos të flasim.

Këtë e tregon edhe renditja ndërkombëtare që u bëhet universiteteve në Kosovë. Kur UP-ja ka rënë për mijëra vende në ranglistën botërore, atëherë të mos flasim për këto të rejat.

Edhe Universiteti i Ferizajt që u themelua sot nga Kuvendi i Kosovës, nuk do të jetë asgjë më shumë se sa një institucion për sistemin e militantëve të PDK-së, si dhe disa të LDK-së.  Madje, mësohet se PDK tashmë e ka caktuar edhe rektorin e saj, natyrisht besnik i partisë, sikur të tjerët që i ka.

Për t’i dhënë fund arsimit në Kosovë, Hashim Thaçit e Isa Mustafës u mbetet pos që të hapin edhe nja 4-5 universitete të reja publike, të vazhdojnë të mbajnë në krye të Agjencisë së Akreditimit njerëz që janë nën hetime, për dyshime me dallavere dhe të politizojnë skajshmërisht këtë sektor.

Shumica prej njerëzve që janë në krye të ekzekutivit, nuk mërzitën nëse këta të rinj që studiojnë do të marrin disa letra pa vlerë, sepse fëmijët e tyre i kanë regjistruar në universitetet më të mira në rajon dhe me gjerë.

Këto “universitete” të partisë, apo shkolla të Hashimit, që po financohen me paratë tona, që do t’i shërbejnë më së paku shoqërisë e shtetit tonë dhe nevojave të tregut, do të vazhdojnë ta mbajnë për vite të tëra në pushtet këtë qeveri të korruptuar e megalomane.

Natyrisht, nëse ne, të gjithë do të vazhdojmë të heshtim pafundësisht. Siç kemi bërë deri më tani.