Shkëndija pëson nga Salzburgu dhe eliminohet nga Liga e Kampionëve

E publikuar: 15/08/2018 04:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shkëndija ka pësuar me rezultat 1-0 nga Salzburgu në ndeshjen kthyese të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin Filipi II në Shkup.

Kampioni i Maqedonisë pësoi me rezultat 3-0 në ndeshjen e parë të zhvilluar në Austri dhe pas sfidës në Shkup i dha fund konkurrimit në garën më të madhe evropiane për klube.

Skuadra tetovare e dominoi pjesën e parë të takimit, mirëpo nuk arriti të krijonte raste konkrete para portës kundërshtare.

Në fillim të pjesës së dytë, mysafirët rrezikuan në disa raste, mirëpo më pas nikoqirët e morën lojën në dorë dhe vazhduan të sulmonin vazhdimisht.

Raste të shumta u krijuan për Shkëndijën, mirëpo mungoi konkretizimi nga të zgjedhurit e Qatip Osmanit.

Në minutat shtesë të takimit, në një moment pakujdesie, Salzburgu e shënoi golin e fitores (90’+2).

Në rast se do të kualifikohej tutje (në ‘play-off’), Shkëndija do të ishte vetëm një hap larg fazës grupore. Sidoqoftë, ky ka qenë një sezon historik i kuqezinjve në Ligën e Kampionëve, pasi kanë arritur deri në rrethin e tretë kualifikues.

Ndërkohë, kampioni i Maqedonisë nuk është larguar nga garat evropiane. Shkëndija do të luajë në fazën e barazhit në Europa League kundër fituesit të duelit ndërmjet Cork Cityt ose Rosenborgut.

Red Bull Salzburgu do të garojë në ‘play-off’ kundër fituesit të duelit ndërmjet Crvena Zvezdas dhe Spartak Trnavas. /Telegrafi/