Shkarkohet Florim Neziraj, lajmëroi vdekjen e Lavdrim Muhaxherit në xhami

E publikuar: 23/06/2017 20:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Bashkësisë Islame në Kaçanik, Florim Neziraj, është shkarkuar nga kjo pozitë pasi lejoi që në xhaminë kryesore të qytetit të lajmërohet vrasja e liderit kosovar të grupit terrorist ISIS, Lavdrim Muhaxheri.

Vendimin e kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) për shkarkimin e Nezirajt e konfirmoi për emisionin “Jeta në Kosovë, këshilltari i BIK, Vedat Sahiti.

“Kryetari i BIK në Kaçanik është revokuar sepse veprimi i tij ka qenë i pakonsultuar me kryesinë e BIK”, tha Sahiti duke iu referuar njoftimit që ishte dhënë nga xhamia në Kaçanik për vrasjen e Muhaxherit në frontet e luftës në Siri.

“Florim Neziraj është shkarkuar, tani është vetëm imam”, shtoi ai.

Njoftimi i dhënë nga xhamia e Kaçanikut për vrasjen e Muhaxherit kishte shkaktuar reagime të ashpra në opinion, ndërsa vetë Neziraj, kishte konfirmuar se bashkë me disa imamë nga Kaçaniku më 8 qershor, ditën kur u dha lajmi për vrasjen e Lavdrim Muhaxherit, kishte shkuar për ngushëllime në familjen e tij.