Shkarkohet Ekrem Hajdari nga pozita e Drejtorit Menaxhues të AKP-së

E publikuar: 26/10/2018 13:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ekrem Hajdari, Drejtori Menaxhues i deritanishëm i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) është shkarkuar nga kjo pozitë pasi Bordi me shumicë të votave ka votuar mocionin për shkarkimin e tij në mbledhjen e sotme.
Këtë për Kallxo.com e ka konfirmuar vetë drejtori i deritanishëm, Ekrem Hajdari.

“Po, ka kalu edhe zyrtarisht ka kalu, sot e kanë votuar, i kanë bërë votat”, ka thënë Hajdari për Kallxo.com.

Ai ka thënë se nuk ka qenë i pranishëm në mbedhjen e Bordit ku edhe është vendosur për shkarkimin e tij.

“Jo nuk kam dashtë, kam refuzuar, nuk kam dashtë me shku se nuk e kam parë të arsyeshme me u ballafaqu me ta”, ka deklaruar Hajdari.

Ekrem Hajdari ka treguar se do të deponoj ankesë në lidhje me këtë vendim të Bordit të AKP-së.

Skender Komoni, drejtor në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), ka iniciuar shkarkimin e drejtorit menaxhues të AKP-së, Ekrem Hajdari, nismë kjo që është mbështetur edhe nga tre anëtarë të tjerë të Bordit: Avni Ajdini, Qemajl Behrami dhe Bekim Selimaj.

Mocioni për shkarkimin e Ekrem Hajdarit i është dërguar kryesuesit të Bordit të AKP-së, Petrit Gashi dhe është propozuar që të jetë në rend të ditës sot kur edhe është zhvilluar mbledhja e Bordit.

Shkarkimi i Hajdarit, sipas propozuesit të mocionit, është mbështetur me gjendjen në AKP, e cila sipas tyre karakterizohet me ngecje në zbatimin e politikave të Bordit të Drejtorëve lidhur me përfundimin me sukses të procesit të privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore.

Në mocionin e anëtarëve të Bordit të AKP-së janë radhitur shtatë arsye për të mbështetur shkarkimin e Ekrem Hajdarit.

Kurse Hajdari ka kthyer përgjigje të detajuar në secilin prej pretendimeve të anëtarëve të Bordit.

Më poshtë gjeni hulumtimin e publikuar nga Gazeta JnK në lidhje me mocionin e katër anëtarëve të Bordit për shkarkimin e Ekrem Hajdarit nga pozita e Drejtorit Menaxhues në AKP.