Shiu bllokon në Bibaj magjistralen Prishtinë – Ferizaj

E publikuar: 09/07/2018 22:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka njoftuar se për shkak të reshjeve të shiut që e kanë përfshi sot një pjesë të Kosovës, si pasojë e vërshimeve të ujit është bllokuar magjistralja Prishtinë – Ferizaj në Bibaj të Ferizajt.

“Rrebeshi i shiut që e përfshiu një pjesë të Kosovës para disa minutash ka bërë që magjistralja Prishtinë – Ferizaj në Bibaj të Ferizajt të bllokohet nga vërshimet e ujit. Sipas informatave të para kjo ka ndodhë si pasojë e mbylljes së drenazhës (vijave kulluese të brezit rrugor) dhe prandaj kemi patur grumbullim të sasisë së ujit”, ka shkruar Lekaj në profilin e tij në Facebook.

Sipas tij, kompania e mirëmbajtjes që është e përzgjedhur për këtë pjesë, është në vendin e ngjarjes dhe po intervenohet për të mundësuar pastrimin e zonës së përmbytur.

“Ju bëjmë thirrje të gjitha bizneseve që të respektojnë rregullat e mbrojtjes së brezit rrugor, ndryshe inspektoriati i Ministrisë së Infrastrukturës do të udhëzohet të dalë në teren për të parë nga afër kyçjet në këtë pjesë”, ka thënë më tej Lekaj.