Shitja e Telekom Albania, Deutsche Telekom ende ska marrë vendim

E publikuar: 11/10/2018 07:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Tiranës nuk do të donte që “Telekom Albania”, partnere e “Deutsche Telekom”, të blihet nga “Telekom Serbia”, e këtë e shprehu qartë kryeministri Edi Rama një ditë më parë.


“Bizneset serbe – tha ai, – janë të mirëpritura në Shqipëri. Por në këtë sektor strategjik (sektori i Telekomunikacionit) ato nuk janë preferenca jonë”.

Por, Korporata greke OTE, që zotëron 99.79% të aksioneve të “Telekom Albania”, partnere e drejtpërdrejtë me “Deutsche Telekom”, e pyetur nga “Deutsche Welle” për ofertën e blerjes së “Telekom Albania” nga “Telekom Serbia”, thotë se ende nuk kanë asnjë njoftim të rëndësishëm për të dhënë.


“Nuk kemi ende asgjë të rëndësishme për të njoftuar. Korporata OTE, mbështetur në prioritetet e saj strategjike dhe qëllimet e biznesit, rivlerëson vazhdimisht asetet e saj, përfshirë edhe ato në Shqipëri. OTE po vlerëson mundësitë e tregut për të krijuar vlera për aksionerët e saj, për të siguruar qëndrueshmëri dhe për të avancuar interesat e korporatës.

Procesi i vlerësimit dhe diskutimet lidhur me këtë çështje po vazhdojnë me homologë të ndryshëm”, tha Kostas Kanakaris, menaxher i lartë në marrëdhëniet me mediet në OTE.

Në fillim të këtij muaji, “Telekom Serbia”, ku qeveria serbe ka 58.11% të aksioneve, konfirmoi interesin e saj për të blerë “Telekom Albania” me një ofertë prej 61 milionë eurosh, që i ka dhënë Korporatës greke OTE dhe indirekt “Deutsche Telekom”.

Qeveria shqiptare, siç nënvizoi edhe vet Rama, nuk mund të ndërhyjë në një transaksion të kompanive private, por kur bëhet fjalë për një sektor strategjik, mendimi i saj merret. Sidoqoftë, OTE deklaron qartë se nuk ka ende asnjë vendim.

Sipas “Deutsche Welle”-s, bëhet fjalë për oferta të tjera nga vendet e rajonit, përveç Serbisë, ku tregu është më i madh sesa në Shqipëri, për të blerë “Telekom Albania”, por emrat e tyre ende nuk janë bërë të ditura. /Top Channel