Shishe nga uiski i tij për të festuar – dhurata speciale e McGregor për Jon Jones pas triumfit rikthyes në UFC

E publikuar: 31/12/2018 01:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Conor McGregor i ka dërguar Jon Jonesit dhe ekipit të tij shishe të uiskit ‘Proper 12’, për ta festuar titullin në kategorinë e lehtë të peshave të rënda dhe rikthimin e tij në UFC.

Ylli amerikan i arteve të përziera marciale fitoi ndaj Alexander Gustafsson në raundin e tretë në duelin e zhvilluar në kuadër ‘UFC 232’ që u zhvillua në Kaliforni dhe në këtë mënyrë bëri një rikthim mbresëlënës.

McGregor nuk ishte i pranishëm për ta ndjekur meçin nga afër, mirëpo e ka shprehur mbështetjen e tij për Jones, i cili për shumë tifozë konsiderohet ylli më i madh në histori të UFC-së, përkundër problemeve me doping.

Ai gjithmonë ka mohuar t’i ketë marrë substancat e ndaluara me qëllim që të performojë më mirë në ‘Tetëkëndësh’, ndërsa pas fitores ndaj Gustafsson i ka bërë ftesë rivalit të tij, Daniel Cormier, për një rimeç të tretë.

Kreu i UFC-së, Dana White dhe zëvendëspresidenti i për Shëndet Sportiv dhe Performancë, Jeff Novitzky, i kanë hedhur kategorikisht poshtë pohimet se i kanë ndryshuar rregullat për t’ia mundësuar Jonesit që të konkurrojë në këtë garë.

Megjithatë, ata u detyruan që ta ndërronin vendin për zhvillimin e ‘UFC 232’, nga Las Vegasi në Los Angeles, meqenëse ka pasur parregullsi lidhur me testimin për doping që u zbulua nga Komisioni Shtetëror i Atletikës në Nevada që nuk ia dha Jonesit licencën që të garojë në atë shtet.

Jon Jones (Foto: Sean M. Haffey/Getty Images/Guliver)

Përmendim se nga viti 2011 deri në vitin 2015, Jones ishte dominues në kategorinë e tij duke e mbrojtur tetë herë radhazi titullin (duke përfshirë edhe duelin përballë Cormier), mirëpo në prill të vitit 2015 iu mor titulli, sepse u arrestua për shkak të përfshirjes në një aksident komunikacioni dhe iku nga vendi i ngjarjes.

Në mungesë të tij, Cormier u bë kampion, ndërsa Jones e mposhti për të dytën herë në ‘UFC 214’ (në vitin 2017), mirëpo Jon doli pozitiv në Turinabol dhe nuk e mori titullin, ndërsa meqë ishte hera e dytë që dilte pozitiv në doping, ai u pezullua për 15 muaj. /Telegrafi/