Shifrat e frikshme të aksidenteve, 7 të vdekur për një muaj

E publikuar: 12/02/2019 08:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vetëm gjatë muajit të kaluar 7 vetë kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në komunikacion, përderisa ditë më parë një grua shtatzënë humbi foshnjën dhe vetë është në rrezik për jetë si pasojë e përplasjes nga një kamionetë. Duke u bazuar në statistikat e Policisë, mesatarisht rreth 40 aksidente në ditë ndodhin në rrugët e Kosovës, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Rrugët e Kosovës vazhdojnë të përgjaken pothuajse çdo ditë si pasojë e numrit të madh të aksidenteve në komunikacion.

Viktima e fundit është një grua shtatzënë, e cila u godit nga një kamionetë të shtunën e 9 shkurtit e që si pasojë e aksidentit ka humbur foshnjën, derisa vetë ende është në rrezik për jetë, shkruan më tutje Gazeta “Zëri”. 

E aksidentuara po vazhdon të trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po mbikëqyret nga stafi mjekësor në Repartin Intensiv. Këtë të enjte ajo pritet t’i nënshtrohet një operacioni në Klinikën e Ortopedisë.