Sherifi: Kryeministër çka po pret? Ndëshkoje opozitën, dërgoje në zgjedhje!

E publikuar: 24/10/2016 15:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Anëtari i kryesisë së Nisma-s, Bilall Sherifi nëpërmjet një postimi në “Facebook” ka apeluar kryeministrin e Republikës, Isa Mustafa që t’i ndëshkojë subjektet opozitare, e më pas ta dërgoj vendin në zgjedhje të reja.

“Meqë kryeministri ka ardhur në përfundim se opozita është fajtor për dështimet e qeverisë së tij, atëherë gjëja e vetme që i ka mbetur të bëjë është ndëshkimi i fajtorit, që sipas kësaj logjike do të thotë ndëshkimi i opozitës”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

“Kryeministër çka po pret? ndëshkoje opozitën, dërgoje në zgjedhje!

Emëruesi i përbashkët i dy rrëfimeve që brenda pak ditësh dëgjuam nga dy drejtuesit e partive të koalicionit PDK-LDK është DËSHTIMI.

Në rrëfimin e tij në intervistën dhënë gazetës Koha Ditore kryetari i PDK-së Kadri Vaseli pos tjerash, akuzoi qeverinë për dështime në shumë fusha.

Në anën tjetër, duke thënë se “opozita e ka penguar punën e qeverisë” Isa Mustafa në rrëfimin e tij e pranoi faktin se qeveria e tij ka dështuar veç se sipas tij përgjegjëse për këto dështime është jo ai dhe qeveria e tij por opozita.

Tani, meqë kryeministri ka ardhur në përfundim se opozita është fajtor për dështimet e qeverisë së tij, atëherë gjëja e vetme që i ka mbetur të bëjë është ndëshkimi i fajtorit, që sipas kësaj logjike do të thotë ndëshkimi i opozitës.

Kryeministër, tash që e gjete fajtorin, mos e kurse, ndëshkoje atë, dërgoje në zgjedhje dhe le ta merr ajo “dënimin” e merituar nga populli për “pengesat” që ua ka bërë juve dhe qeverisë suaj.”(sic.)