Sherifi: Duhet të ridizajnohet Gjykata Speciale

E publikuar: 27/07/2015 14:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi thotë se opozita nuk është kundër themelimit të Gjykatës Speciale, mirëpo jo në versionin si është tani.
Ai në një intervistë dhënë për Gazetën Blic ka thënë se Gjykata Speciale duhet të ridizajnohet.

“Nisma asnjëherë nuk është deklaruar kundër themelimit të Gjykatës Speciale, e cila do të hetonte dhe gjykonte të gjitha krimet që janë kryer gjatë luftës në territorin e Kosovës. Nisma është angazhuar dhe do të angazhohet që mënyra si është dizajnuar kjo gjykatë të mos kalojë”, ka thënë Sherifi për Gazetën Blic.

Ai thotë se nëse Qeveria do ta riprocedoj në Kuvend amendamentin kushtetues, i cili para një muaji u rrëzua nga votat e deputetëve, atëherë do të marrë fund demokracia në vend.

Sherifi thotë se Isa Mustafa nuk mund t’i kërcënoj deputetët, ngase Kuvendi e ka zgjedhur atë, e jo e kundërta.

Sekretari i Nismës ka dhënë një përkufizim interesant për Qeverinë.

“Kjo nuk është qeveri e re, kjo është vazhdimësi e qeverive një dhe dy të Thaçit. Më shumë do ta quaja një riformatim të kabinetit qeveritar se sa një qeveri të re. Prandaj ajo çka mund të them pas këtyre 8 muajve është se ky kabinet është apatik i cili vetëm po e mban status quon në vend”, ka thënë ai.