Shembja e ndërtimeve informale: hap i duhur, kohë e gabuar

E publikuar: 01/05/2015 18:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Viol Xhafaj

Ekonomia shqiptare vijon të jetë një ekonomi e dobët, aspak e ngjashme në tregues me Europën ku synohet anëtarësimi. Mbetet për t’u parë nëse këtë vit do të arrihen të përmbushen parashikimet e Bankës së Shqipërisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për rritje prej 3 për qind.

Kanë kaluar dy vjet që kur qeverisja ndërroi krah politik, sot është domosdoshmëri caktimi i prioriteteve. Një nga nismat më të bujshme të qeverisë është ajo për prishjen e objekteve të ngritura pa leje. Rasti më i fundit është ai i qytetit të Lushnjës, ku fadromat e IKMT-së shembën rreth 100 objekte. Aksione të ngjashme janë zhvilluar në Tiranë, Korçë, Pogradec, Vlorë etj. Në lagjen “Kushtrimi” në Vlorë, qytet ku janë evidentuar një mijë objekte në plan për t’u shembur, pronarët e banesave të prishura, për disa net ndenjën pranë rrënojave, pasi sipas tyre nuk kishin ku të shkonin.

A është shembja e objekteve informale domosdoshmëri? Po, është!

Prej dy dekadash ndërtimet pa plan kanë prishur strukturën e qyteteve apo fshatrave, duke vështirësuar jetën në komunitet. Kujtojmë kur në raste zjarri ka qenë e pamundur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse, pasi në shumicën e herëve nuk është respektuar distanca e nevojshme nga një objekt në tjetrin.

A është ky momenti për t’u marrë me ndërtimet informale? Jo, nuk është.

Javët e fundit po jepet alarmi për atë që është vlerësuar si eksodi i dytë shqiptar, largimi masiv drejt vendeve të zonës Shengen. Shifrat më të fundit zyrtare i referohen vitit 2014. Sipas INSTAT-it, në këtë periudhë  emigracioni neto shënoi 18 046 persona, nga 16 414 që u regjistruan në vitin 2013.  Vetëm në Korçë dyqind familje janë larguar drejt Gjermanisë, ku kanë kërkuar azil ekonomik. Të ngjashme janë të dhënat që vijnë për  Kukësin, Fierin etj.

Shifrat e të larguarve kuptohen qartë kur u hedh një sy treguesve të papunësisë. Instituti  i Statistikave raporton se niveli i papunësisë është 12.8 për qind për personat e grupmoshës 30-65 vjeç. Për të rinjtë nga 15 deri në 29 vjeç, papunësia shkon deri në 33,9% (INSTAT/tremujori i katërt 2014).  Vetë kryeministri Edi Rama, në seancën e së enjtes në parlament pranoi se është i pamohueshëm fakti që në Shqipëri sot ka njerëz që nuk arrijnë të nxjerrin bukën e gojës.

Ndërkohë, vetëm pak javë më parë sipërfaqe të tëra toke u përmbytën si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Më të prekurat ishin Fieri dhe Vlora, zona me intensitet të lartë prodhimi për bujqësinë. Vërshimi i ujit dëmtoi banesa, biznese, ferma blegtorale, sera. Në media, me pamjet e kafshëve të ngordhura pas krahëve, banorët deklaruan se humbën gjithçka, kursimet e gjithë jetës, dhe rimëkëmbja shihet e pamundur.

Po këtë vit u vendos ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike, duke u hequr çmimi favorizues për konsumin deri në 300 kwh. Sipas Entit Rregullator të Energjisë, në një publikim të pak ditëve më parë, nga çmimi i ndryshuar i energjisë, rreth 58 për qind e konsumatorëve familjarë (530 mijë familje) u penalizuan, ndërsa vetëm 23 për qind përfituan.

Këto janë vetëm disa nga shumë çështjet që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme.

Përballë kësaj situate, aksioni për shembjen e ndërtimeve informale duket dytësor.

A duhej kapur ekskavatori para se të llogaritej sa nga këta njerëz që do mbeten pa shtëpi e biznese, janë të papunë, sa janë kryefamiljarë e sa persona të tjerë varen prej tyre?

Ndërhyrja për pastrimin e territorit nga ndërtesat pa leje është domosdoshmëri, por momenti i zgjedhur për këtë ndërhyrje është i gabuar.