Shefi i kompanisë promovuese të Mayweather beson se amerikani nuk do të dalë nga pensioni për t’u ndeshur me Pacquiaon

E publikuar: 20/01/2019 23:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi ekzekutiv i Mayweather Promotions ka thënë se nuk ka gjasa që Floyd Mayweather të hyjë sërish në ring dhe ta zhvillojë rimeçin me Manny Pacquiao.

Gjatë kësaj fundjave, filipinasi 40-vjeçar fitoi ndaj Adrien Broner para publikut në MGM Grand Garden Arena në Las Vegas dhe i bëri ftesë rivalit të tij të vjetër për një rimeç.

Floyd Mayweather dhe Manny Pacquiao (Foto: Al Bello/Getty Images/Guliver)

Amerikani i pamposhtur e shikoi nga afër këtë duel dhe e dëgjoi Mannyn teksa i bënte ftesë që ta përsërisnin duelin e vitit 2015 – të cilin e fitoi Floyd – por nuk komentoi asgjë.

Mirëpo, Leonard Ellerbe, shefi i kompanisë promovuese të Mayweather, ka thënë se boksieri i pamposhtur nuk është i interesuar për një rimeç.

“Jo. Ai nuk ka asgjë për të dëshmuar. Jam shumë i kënaqur me te. Është pensionuar. Nuk ka interes që ta bëjë. Paratë nuk janë gjithmonë të rëndësishme – çfarë mund të bëjë më shumë një njeri?”, ka thënë ai kur është pyetur se a do ta pranojë Floyd ofertën e Mannyt.

Dueli i parë ndërmjet Floyd Mayweather dhe Manny Pacquiao (Foto: Al Bello/Getty Images/Guliver)

“Ai nuk ka motivim as dëshirë. Po bën jetën më të mirë, po udhëton, udhëheq shumë biznese, po shpenzon nga paratë që i ka fituar me shumë mund”.

“Në shkurt do t’i mbushë 42 vjet. Kur është mjaft është mjaft. Çfarë të duhen paratë kur nuk mund t’i shpenzosh?”, ka shtuar Ellerbe.

Sidoqoftë, njohësit e zhvillimeve në botën e boksit besojnë se dueli mund të ndodhë gjatë vitit 2019. /Telegrafi/