Shefi i inteligjencës artificiale pranë Facebook na mëson tre gjëra rreth të ardhmes së IA

E publikuar: 19/02/2019 19:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vitet e fundit disa prej kompanive më të mëdha në botë të teknologjisë, nga Google tek Facebook dhe Microsoft janë fokusuar tek inteligjenca artificiale(IA) dhe sesi mund ta inkorporojnë tek të gjitha produktet e tyre. Për shembull Google ribrandoi Google Research në Google AI përpara konferencës së zhvilluesve të këtij viti. Mark Zuckerberg gjithashtu shpjegoi sesi Facebook po përdor inteligjencën artificiale për të adresuar gjuhën e urrejtjes në platformë gjatë konferencës F8. Tregu IA po shënon boom ndërsa kompanitë vazhdojnë të investojnë. Sipas International Data Corporation, shpenzimet në IA do të arrijnë në 77.6 miliardë dollarë në 2022 nga 24 miliardë që ishte në 2018.

Por industria ka shumë rrugë për të bërë dhe progresi varet nëse akademikët dhe lojtarët e industrisë do të gjejnë një mënyrë për ti pajisur algoritmet kompjuterike me aftësi njerëzore. Sistemet me inteligjencë artificiale, algoritmet apo teknologjitë të gjurmimi, ende nuk mund të prodhojnë kontekst siç bëjnë njerëzit. Avancime të tilla mund të jenë kritike për Facebook i cili ka shtuar përpjekjet për të gjurmuar ngacmimin online apo përmbajtjet terroriste në platformë.

Ka raste të cilat janë shumë të qarta dhe IA mund të përdoret për ti filtruar ose ti dërgojë tek moderatorët për të vendosur,” shprehej shefi i AI pranë Facebook Aynn LeCun në një intervistë për Business Insider. “Por ka raste të shumta kur diçka përbën gjuhë urrejtje dhe nuk ka një mënyrë për ta gjurmuar vetëm nëse ke një kontekst të gjerë. Për këtë IA nuk është ende gati.”

Një element kyç për avancimin në fushën e inteligjencës artificiale, veçanërisht në “deep learning” është hardueri i nevojshëm për ta mbështetur. Kjo është temë e madhe që LeCun adresoi në një konferencë për çipet. “Çfarëdo që ata do të ndërtojnë, do të influencojë progresin e IA në dekadën e ardhshme,” tha Ai. Përpara konferencës LeCun foli për Business Insider rreth drejtimit që po merr inteligjenca artificiale dhe çfarë do të thotë për pajisjet që përdorin çdo ditë dhe sfidat që qëndrojnë përpara.

Makineritë duhet të adresojnë konsumin e energjisë që IA të përmirësohet

Imagjinoni një vakum i cili jo vetëm që është mjaftueshëm inteligjent për të krijuar një hartë të dhomës së ndenjes në mënyrë që të mos pastrojë dy herë të njëjtin vend por gjithashtu të identifikojë pengesa përpara se të përplaset me to. Ose një makinë kositëse e cila me IA mund të shmangë lulet ndërsa pret barin. Për pajisje si këto që të punojnë LeCun thotë se duhet harduer më efikas në konsumin e energjisë. Një avancim i tillë nuk është i nevojshëm vetëm që teknologjitë në fjalë të avancojnë por edhe të përmirësojë mënyrën sesi kompani si Facebook identifikojnë përmbajtjet e fotove dhe videove në kohë reale. Për të kuptuar çfarë ka në një video, të përkthesh atë në tekst apo në një gjuhë tjetër në mënyrë që njerëzit ta kuptojnë kërkon sasi të mëdha fuqie kompjuterike thotë LeCun.

Inteligjenca artificiale do të demonstrohet më qartë se askund tek smartfonët

Në tre vitet e ardhshme LeCun beson se smartfonët do të kenë IA të integruar direkt në harduer përmes një procesori të dedikuar i cili do të mundësojë funksione si përkthim në kohë reale të një bisede. Kjo nuk duhet tu surprizojë sepse kompani si Google, Apple dhe Huawei kanë filluar të integrojnë IA në pajisjet mobile. LeCun thotë se IA në smartfonë do të sjellë një valë aplikacionesh të reja.

Tu japësh makinerive një “arsye” është fokusi kryesor i dekadës së ardhshme

Ndërsa njerëzit vazhdimisht mësojnë rreth botës që i rrethon, kompjuterët janë trajnuar për të kryer detyra specifike. Nëse dëshironi të dizajnoni një algoritëm që gjurmon macet në foto, duhet ta mësoni të kuptojë sesi ngjan një mace duke e ekspozuar përballë një sasie të dhënash si mijëra foto. Por në mënyrë që IA të ecë përpara duhet perfeksionuar një teknikë e njohur si mësimi i vetë-mbikëqyrur sipas Le-Cun. Me pak fjalë makineritë duhet të mësojnë vetë sesi bota funksionon në vend që tu mësohet çdo gjë.

Nëse trajnojmë algoritmet të bëjnë këtë gjë, atëherë do të kemi progres të dukshëm në aftësitë e makinerive për të kapur kontekst dhe marrë vendime edhe më komplekse,” thotë LeCun. Ai shtoi se teknika aktualisht funksionon vetëm për tekstin dhe jo videot e imazhet. Një arritje e tillë është ajo çfarë kompanitë si Facebook kanë nevojë për të përmirësuar moderimin e përmbajtjeve në platformat e tyre edhe pse nuk dihet kur zgjidhja do të vijë. LeCun thotë “Nuk është diçka që ka për të ndodhur nesër.” /PCWorld Albanian