SHBA, thirrje OKB-së të shqyrtojë rolin e Iranit në Jemen

E publikuar: 08/11/2017 18:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shtëpia e Bardhë i bëri thirrje Kombeve të Bashkuara të shqyrtojnë rolin e Iranit në konfliktin në Jemen, duke e akuzuar Teheranin se ndërhyrja iraniane po e nxit konfliktin në mënyrë që “të avancojë ambicjet e veta rajonale”.

Arabia Saudite, vend aleat me Shtetet e Bashkuara, akuzoi Iranin për furnizimin me armë të rebelëve Houthi, përfshirë dhe një raketë që u lëshua drejt një aeroporti në Riad, por që sauditët e asgjësuan.

Arabia Saudite udhëheq koalicionin që lufton rebelët Houthi, në mbështetje të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të Jemenit. Një javë më parë zyrtarët sauditë thanë se veprimet e Iranit mund të konsiderohen si “një akt lufte”.

Deklarata sot e Shtëpisë së Bardhë shprehte mbështetjen për Arabinë Saudite dhe aleatët e tjerë në rajon dhe ngarkonte Iranin me pergjegjësinë e shkeljes së vendimeve të Kombeve të Bashkuara për të ndaluar transferimet e armëve.

Irani ka mbështetur rebelët Houthi, por mohon të ketë dorë në armatosjen e tyre.