SHBA tërhiqet nga vendimi për mbylljen e zyrës palestineze

E publikuar: 25/11/2017 17:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga vendimni që do të kishte sjellë mbylljen e zyrës së Organizatës për Çlirimin e Palestinës në Uashington.

Shtetet e Bashkuara thanë javën e kaluar se organizata duhet ta mbyllte zyrën sepse kishte shkelur një klauzolë jo shumë të njohur të ligjit amerikan, që ndalonte ekzistencën e një zyre palestineze në Uashington nëse organizata i kërkonte Gjykatës Ndërkombëtare Penale të hetonte ose të ndiqte penalisht izraelitët për krime kundër palestinezëve.

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas i kërkoi para disa muajsh gjykatës ndërkombëtare që të “hapte një hetim dhe të ndiqte penalisht zyrtarë izraelitë për përfshirjen në aktivitetet e ndërtimit të vendbanimeve dhe agresion kundër popullit tonë.”

Mustafa Barghouti, një ligjvënës palestinez i tha agjencisë Associated Press se Shtetet e Bashkuara kishin marrë vendimin “e duhur” me kthimin e vendimit.

Ai tha se vendimi i parë nuk duhej të ishte marrë sepse “Shtetet e Bashkuara nuk mund të luajnë rolin e ndërmjetësit dhe njëkohësisht të dilnin në anën e izraelitëve kundër palestinezëve … Nuk mund të kemo paqe në këtë rajon nëse qeveria e Shteteve të Bashkuara vazhdon të jetp e njëanshme në përkrahje të qëndrimeve izraelite”.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit thotë se Shtetet e Bashkuara e “kanë këshilluar Organizatën për Çlirimin e Palestinës të kufizojë aktivitetet e veta tek ato që synojnë një paqe afatgjatë dhe gjithëpërfshirëse mes izraelitëve dhe palestinezëve”.