SHBA: Putin ka 40 miliard pasuri, një pallat 1 miliard USD dhe një jaht 35 mln

E publikuar: 27/01/2016 13:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Duket si një temë që do të nxehë edhe më tej marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit. Pasuria e supozuar e Vladimir Putinit i ka shtyrë amerikanët ta akuzojnë si një person të korruptuar dhe të përzier në trafiqe. Një zyrtar i lartë i thesarit të SHBA deklaroi se prej vitesh ata e dinë se Putin merret me trafiqe dhe se është i korruptuar. Kremlini ka reguar duke kërkuar që Uashingtoni të ofrojë provat për akuzat e tij.

Sipas akuzave amerikane, Putin zotëron sot 40 miliard dollarë. Sipas tyre, Roman Abramovich, pronari i Chelsea, ka dhënë 200 milion dollarë për një pallat gjigand që Putin po ndërton në rajonin e Kaukazit, me vlerë totale një miliard USD. Më tej akuzat thonë se Putin zotëron edhe një jaht me vlerë 35 milion USD, si dhe aksione marramendëse në disa shoqëri si Gazprom (4.5%) dhe Surgutneftgas (37%). Gjithashtu Putin akuzohet se ka ofruar lehtësira pë shumë kompani, në këmbim të ryshfeteve.

Një detaj pikant i akuzave amerikane ka të bëjë me orët e luksit, të cilat presidenti rus i ka shumë për zemër, duke zoteruar një koleksion marramendës orësh të shtrenjta. Megjithëse merr pak më shumë se 100 mijë USD rrogë vjetore, Putin jeton sot në më shumë se 20 rezidenca shtetërore pa asnjë shpenzim personal. Ai ka një flotë zyrtare prej 43 avionësh qeveritarë, helikopterë dhe 4 jahte.