SHBA mund të ndërpresin fondet për palestinezët

E publikuar: 18/01/2018 20:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, ka kërcënuar për pezullimin e fondeve për Autoritetin Palestinez, nëse ata nuk përparojnë drejt bisedimeve të paqes. Ajo u shpreh se palestinezët nuk janë “seriozë” në procesin e paqes.

Zonja Haley i tha bashkëpunëtores së Zërit të Amerikës, Greta van Susteren, se Shtetet e Bashkuara nuk do të shpërblejnë sjelljen e keqe.

“Këtu kemi palestinezët që thonë se do t’i përjashtojnë Shtetet e Bashkuara nga procesi. Thonë se nuk duan të kenë të bëjnë më me ne. Ata janë përgjithësisht shumë armiqësorë në ato që thonë dhe që bëjnë. Ne nuk do të paguajmë që të abuzohemi. Nuk ka kuptim”, tha ambasadorja Haley.

Zonja Haley tha se Shtetet e Bashkuara kërkojnë t’i ndihmojnë palestinezët, por se ata duhet të tregojnë se do të zbatojnë reforma, pas të cilave SHBA do ta rivlerësojë marrëdhënien.

Ambasadorja Haley sugjeroi se UNRWA mund të fitojë donatorë të rinj mes vendeve që nuk mbështetën Shtetet e Bashkuara muajin e kaluar, gjatë një votimi të një rezolute në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që refuzoi vendimin e SHBA-së për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit.

Ajo tha se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë një proces paqeje ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, por ajo shtoi se duke përjashtuar SHBA-në nga procesi i paqes, palestinezët nuk janë seriozë për arrritjen e paqes.

Zyrtarët palestinezë i akuzuan Shtetet e Bashkuara për sabotim të përpjekjeve palestineze për paqe, liri dhe drejtësi, dhe deklaruan se nuk do të ndjehen të kërcënuar nga paralajmërimi amerikan për ndërprerje të fondeve.