SHBA: Mbi 13 mijë të vdekur që nga fillimi i pandemisë koronavirus

E publikuar: 08/04/2020 21:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Shtetet e Bashkuara, numri i të vdekurve nga coronavirusi e ka kaluar shifrën 13 mijë, ndërkohë që janë 400 mijë raste të konfirmuara me sëmundjen. Qyteti i Nju Jorkut e kaluar shifrën e 4,000 të vdekurve.

Sipas zyrtarëve, edhe pse në Nju Jork numri i të vdekurve arriti një nivel të ri të lartë, numri i të shtruarve në spitalet e këtij shteti duket se nuk po shënon rritje të mëtejshme.

Ndërkohë, sipas njoftimeve të medias në SHBA, në fund të nëntorit 2019, zyrtarët e inteligjencës amerikane kishin paralajmëruar se një sëmundje ngjitëse po përfshinte zonën e Wuhanit në Kinë, duke sjellë ndryshime në disa aspekte të jetesës dhe biznesit të atjeshëm dhe që paraqisnin kërcënim për popullsinë.

Njoftimet i referohen disa burimeve të informuara rreth këtyre raporteve sekrete.

Shqetësimet për atë që tani njihet si pandemia e coronavirusit të ri parashtroheshin në një raport të muajit nëntor nga Qendra Kombëtare e ushtrisë për Inteligjencën Mjekësore (NCMI), sipas dy zyrtarëve që kanë dijeni për këtë dokument.

Raporti ishte rezultat i analizës së interceptimeve kompjuterike, të shoqëruara me imazhe satelitore dhe shkaktoi alarm sepse një sëmundje që mund të dilte jashtë kontrollit do të përbënte një kërcënim serioz për forcat amerikane në Azi.

“Analistët arritën në përfundimin se kjo mund të ishte një ngjarje kataklizmike”, tha një prej burimeve duke iu referuar raportit të NCMI.

Më pas, për këtë çështje u informuan shumë herë Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes, Shtabi i Përbashkët në Pentagon dhe Shtëpia e Bardhë. /VOA/