SHBA luftë produkteve të falsifikuara në internet

E publikuar: 04/04/2019 10:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti Donald Trump nënshkroi të mërkurën një memorandum për të luftuar shitjen e produkteve të falsifikuara përmes platformave në internet si Alibaba, Amazon dhe eBay.

“Ky president ka vendosur se është koha për të pastruar kaosin e falsifikimeve dhe trafikimit”, tha Peter Navarro, ndihmës i presidentit dhe drejtor i Zyrës për Tregtinë dhe Politikat e industrisë së prodhimit.

Veprimi i zotit Trump nuk nënkupton ndërmarrjen e veprime të menjëhershme kundër prodhuesve dhe shitësve të produkteve të falsifikuara që përfshijnë nga barnat tek atletet e markave të njohura.

Por memorandumi orienton Departamentin e Sigurisë Kombëtare të koordinojë punën me Prokurorin e Përgjithshëm, përfaqësuesin për Tregtinë, departamentin e Tregtisë si dhe agjencitë të tjera federale, të hetojnë së bashku dhe të dorëzojnë një raport me rekomandime brenda 210 ditëve.

Duke folur për gazetarët të mërkurën zoti Navarro tha se rreth gjysma e mallrave në internet janë të falsifikuara.

Dogana dhe Mbrojtja Kufitare nuk kanë personel të mjaftueshëm për të mbajtur nën kontroll rrjedhën e madhe të mallrave të paligjshme, përfshirë opioidet e rrezikshme, që po derdhen në Shtetet e Bashkuara nëpërmjet shitësve online, sipas zotit Navarro.

“Nëse nuk merrni masa do ta bëjë qeveria”, tha zoti Navarro duke paralajmëruar platformat në internet, të cilët siç tha ai janë përgjegjëse për shitjen gjysmë trilioni dollarë në produkte të falsifikuara çdo vit.

Produktet e importuara të falsifikuara që kapen më shpesh, sipas një sondazhi të zyrtarëve të doganave janë këpucët, pasuar nga veshjet, produktet e lëkurës dhe pajisjet elektronike. Posta është mënyra më popullore për të transportuar produkte të falsifikuara e të paligjshme.

Përveç mashtrimit të konsumatorëve në vlerën e miliarda dollarëve, sipas zotit Navarro produktet e paligjshme përbëjnë një kërcënim për sigurinë kombëtare për shkak se ato po “rrëshqasin” në zinxhirin e furnizimit ushtarak.

Kina është prodhuesi më i madh i mallrave të rreme, të nëntë prej 10 kategorive, duke përfshirë kategorinë më popullore, këpucët, me më shumë se 27 për qind të të gjitha mallrave të konfiskuara sipas një raporti të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) si dhe zyrës për mbrotjen e pronës intelektuale të Bashkimit Evropian (EUIPO).