SHBA: Kosova nuk është burim i rëndësishëm i narkotikëve

E publikuar: 19/03/2015 21:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në raportin vjetor mbi narkotikët në vendet e ndryshme të botës, Departmenti Amerikan i Shtetit ka dhënë vlerësimin se Kosova nuk është një burim i rëndësishëm i narkotikëve, por në anën tjetër mbtetet një vend kalimtar prej nga drogat e llojeve të ndryshme kalojnë për në vendet e Evropës Perëndimore.

Në Raportin mbi Kontrollin Ndërkombëtar të Narkotikëve që ju dorëzua Kongresit, ofrohet një vlerësim i plotë i përpjekjeve të qeverive të huaja për të reduktuar narkotikët e ndaluar, prodhimin, trafikimin dhe përdorimin e tyre në përputhje me detyrimet ndërkombëtare sipas traktateve të OKB-së.

Në raport thuhet se Kosova zhvillon luftën kundër drogave përmes disa agjencive dhe me një strategji kombëtare dhe se në periudhën nga janari deri në shtator të vitit 2014 janë konfiskuar 672 kilogram marihuanë, 21 kilogram kokainë dhe më pak se dy kilogram heroinë, që përbën shtim të ndjeshëm të marihuanës dhe kokaninës ndërsa ka pasur rënie të heroines në krahasimi me vitin 2013.

Kur është fjala tek Kosova si vend i kalimit të drogës për në vendet e Evropës thuhet se këtë e karakterizojnë pozita e saj gjeografike dhe rrugët tradicionle pastaj moskontrollimi i pjesës veriore, varfëria dhe sistemi jo shumë efikas i menaxhmiit të kufirit.

Lidhur me përdorimin e drogave në Kosovë thuhet se më e preferuara të jetë marihuana ndërsa shumica e përdoruesve janë të rinj dhe mëshkuj.

Raporti thekson se Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar të forcojnë dhe ndërtojnë marrëdhëniet me policinë e Kosovës duke ju ofruar ndihmë teknike dhe aftësim nëpërmes programeve amerikane të ndihmës.

Që nga viti 2014 Kosova dhe Shtetet e Bashkuara janë në fazën e negocimit të marrëveshjes së ekstradimit, thekson ndër të tjera raporti i Departmentit të Shtetit. /rtk/