SHBA-ja kritikon emërimet e kriminelëve dhe joprofesionistëve në pozitat e larta

E publikuar: 15/05/2019 08:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Emërimi i njerëzve të pakualifikuar dhe të dënuar për krime lufte në pozita të larta ka nxitur reagimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Megjithëse nuk kanë drejtuar gishtin se kush janë të emëruarit, kjo ambasadë ka shprehur shqetësim duke bërë thirrje që të ndalen emërimet politike, shkruan sot Koha Ditore.

Por, dy rastet e fundit për të cilat ambasadori amerikan reagoi edhe në rrjete sociale është emërimi i Naser Shalës në pozitën e drejtorit të Sekretariatit të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës, si dhe emërimi i Sylejman Selimit – ambasador në Tiranë. Shala, që në luftë njihej si komandant “Ftyra”, ka qenë i akuzuar së bashku me Fatmir Limajn nga Prokuroria Speciale për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve në rastin “Kleçka”.

Pas një procesi gjyqësor, Themelorja në Prishtinë kishte shpallur të pafajshëm Limajn dhe nëntë ish-pjesëtarët e UÇK-së, në mesin e tyre edhe Shalën. Shala ishte përfshirë edhe në aferën e përgjimeve “Pronto”, me kryeprotagonist Adem Grabovcin e PDK-së. Grabovci kishte përdorur emrin e Shalës për ta frikësuar ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Sipas asaj që Grabovci ia transmetonte Shalës në bisedën telefonike, ish-kryekuvendari ishte zmbrapsur.