SHBA, Franca, Gjermania, Britania, dënojnë përdorimin e armëve kimike nga Siria

E publikuar: 08/11/2017 20:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson dhe disa diplomatë të tjerë nënshkruan një deklaratë të mërkurën, e cila dënon përdorimin e armëve kimike nga qeveria siriane ndaj shtetasve të saj.

Ajo pason një raport të hetuesve të Kombeve të Bashkuara që zbuluan se regjimi i presidentit sirian Bashar al-Assad shkeli ligjin ndërkombëtar kur përdori gazin sarin në qytetin Khan Sheikhoun të kontrolluar nga rebelët, më herët gjatë këtij viti.

E dënojmë këtë akt të tmerrshëm dhe kërkojmë që regjimi sirian të ndalë menjëherë përdorimin e armëve kimike. Gjithashtu Siria, duhet t’i bëjë të ditur Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, të gjitha armët kimike që posedon“, thuhet në deklaratën e përbashkët të sekretarit amerikan të shtetit Tillerson, me ministrat e jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Britanisë.

Zoti Tillerson dhe diplomatët e tjerë thanë se është e rëndësishme që të mbahen nën vëzhgim rastet e përdorimit të armëve kimike në Siri dhe i kërkuam Kombeve të Bashkuara të ruajnë Mekanizmin e Përbashkët Hetimor (JIM) të krijuar në bashkëpunim me Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW).

Sipas deklaratës, hetuesit e JIM-it kanë raportuar se një sulm tjetër me gaz sarin ka ndodhur “më shumë gjasë” në qytetin sirian të Al Lataminah-it, vetëm një javë para sulmit në Khan Sheikhoun.

Një reagim i fuqishëm ndërkombëtar tani është thelbësor në mënyrë që përgjegjësit të japin llogari, për të kërkuar drejtësi për viktimat e këtyre sulmeve të neveritshme dhe për të parandaluar që ato të ndodhin përsëri“, thuhet në deklaratë.

Muajin e kaluar, përpara lëshimit të raportit më të fundit mbi armët kimike, Rusia përdori veton e saj në Kombet e Bashkuara për të bllokuar një rezolutë për t’i zgjatur mandatin hetuesve të JIM-t.

Gjetjet e raport ishin politikisht të turpshme për Rusinë, një aleat i vendosur i presidentit sirian.

Në Siri, qeveria është e vetmja palë në konflikt e pajisur me kapacitete ajrore. Zyrtarët rusë patën pohuar më parë, se gazi ishte lëshua nga një bombë në tokë dhe jo nga ajri.