SHBA e njeh Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit

E publikuar: 06/12/2017 20:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donlad Trump, tha se “është koha që Jerusalemi të njihet zyrtarisht kryeqytet i Izraelit”.

“Kam vendosur se është koha ta njohim zyrtarisht Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Derisa presidentët e mëparshëm (v.j. amerikanë) e kanë bërë këtë premtim të madh, ata nuk e kanë realizuar. Sot, unë po e realizoj”, tha Trump.

Në një fjalim që mbajti të mërkurën, Trump po ashtu tha se ka urdhëruar Departamentin e Shtetit të nisë përgatitjet për zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem.

Vendimi i Trumpit për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit paraqet ndryshim të politikës amerikane që statusi i qytetit të vendoset në negociata me palestinezët, të cilët duan që Jerusalemi Lindor të jetë kryeqytet i shtetit të tyre të ardhshëm.

Trump tha se dëshiron të bëjë gjithçka në fuqinë e tij për të ndihmuar arritjen e një marrëveshjeje të paqes, të pranueshme edhe për izraelitët, edhe për palestinezët.

Izraeli e mirëpriti lajmin, por palestinezët dhe udhëheqësit arabë, ashtu si dhe aleatët kyçë të SHBA-së, e paralajmëruan Trumpin se ky veprim rrezikon të nxisë dhunë në gjithë Lindjen e Mesme dhe të komplikojë procesin e paqes.

Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, tha se do të bisedojë me Trumpin në lidhje me këtë çështje.

“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Statusi i Jerusalemit duhet të përcaktohet nga një zgjidhje e negociuar midis izraelitëve dhe palestinezëve”, tha May.

Një zëdhënës i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se ky i fundit e kundërshton çdo veprim të njëanshëm ndaj Jerusalemit, i cili mund të minojë zgjidhjen me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez.

“Ne gjithmonë e kemi konsideruar Jerusalemin si çështje të statusit përfundimtar, e cila duhet të zgjidhet me negociata të drejtpërdrejta nga të dyja palët, bazuar në rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit”, tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, thirri një takim të posaçëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik – trupit kryesor pan-islamik në botë – për të diskutuar çështjen më 13 dhjetor.

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, tha se do të ndjekë samitin dhe se “nuk do të tolerojë shkelje të shenjtërive islamike”.

Zëdhënësi i presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, tha se njohja e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit do të ketë pasoja serioze për përpjejkjet e paqes, që udhëhiqen nga SHBA-ja.

Izraeli e ka pushtuar Jerusalemin Lindor në luftën e vitit 1967 dhe pretendon se i gjithë qyteti është kryeqytet i tij.

Megjithatë, sovraniteti i Izraelit mbi Jerusalemin nuk është njohur kurrë ndërkombëtarisht dhe të gjitha vendet i kanë ambasadat e tyre në Tel Aviv./rel/

Përgatiti: Valona Tela