SHBA do t’i përgjigjet Rusisë nëse ka helmuar ish-spiunin rus

E publikuar: 13/03/2018 12:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të “zemëruara” për siç ka thënë ai, për mundësinë e madhe që Rusia të ketë helmuar ish-spiunin Sergei Skripal në Britani. Ai ka paralajmëruar se Moska do të përballet me përgjigje të duhur për këtë çështje.

“Ne kemi besim të plotë në hetimin e kryer nga Britania e Madhe dhe vlerësimin e saj se Rusia ka gjasa të jetë përgjegjëse për sulmin me agjent nervor që ndodhi në Salisbury javën e kaluar”, ka thënë Tillerson përmes një deklarate më 12 mars, vetëm disa orë pasi kryeministrja britanike, Theresa May ka thënë se “ka shumë gjasa” që Rusia qëndron pas sulmit ndaj Skripal dhe vajzës së tij.

“Asnjëherë nuk ka justifikim për një sulm të tillë – tentim-vrasja e një qytetari në një shtet sovran – dhe ne jemi të zemëruar për atë që duket se Rusia është përfshirë edhe njëherë në një sjellje të tillë”, ka thënë Tillerson.

“Prej Ukrainës në Siri –dhe tash në Britaninë e Madhe – Rusia vazhdon të jetë një forcë e papërgjegjshme e paqëndrueshmërisë në botë, duke vepruar me mospërfillje ndaj sovranitetit të shteteve tjera dhe jetëve të qytetarëve të tyre”, ka thënë ai.

“Ne jemi pajtuar se përgjegjësit, edhe ata që kanë kryer krimin, por dhe ata që kanë dhënë urdhrin, duhet të përballen me pasoja të rënda”, ka thënë Tillerson.

“Solidarizohemi me aleaten tonë Britaninë e Madhe dhe do të vazhdojmë të koordinohemi për përgjigjet tona”, ka thënë tutje ai.

Tillerson është zotuar për përgjigje ndaj përdorimit të agjentit nervor, të nivelit ushtark, të quajtur Novichok, që është prodhuar nga Rusia gjatë Luftës së Ftohtë.

Gjatë një konference për media, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders ka thënë se “përdorimi i agjentit nervor shumë vjdekjeprurës ndaj qytetarëve britanikë në terroritorin e Britanisë paraqet zemërim”, mirëpo ajo nuk përmendi Rusinë.

“Ne qëndrojmë me aleanten tonë Britaninë e Madhe. Mendoj se ata po punojnë edhe mbi disa detaje të tjera për këtë çështje dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me Britaninë dhe qëndrojmë me ta gjatë këtij procesi”, ka thënë Sanders.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se “Britania është aleate e çmueshme dhe ky incident është mjaft shqetësues për NATO-n…Përdorimi i çfarëdo agjenti nervor është e papranueshme”, ka thënë ai.

Ndërkaq, gjatë një bisede telefonike, presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka shprehur solidaritetin e tij me Britaninë e Madhe, ka thënë zyra e kryeministres May.

Zyrtarët britanikë kanë ftuar në bisedë ambasadorin rus në Londër dhe i kanë dhënë afat deri më 13 mars që të jap shpejgim për sulmin me agjent nervor.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë se Rusia nuk ka qenë e përfshirë në helmimin e ish-agjentit rus.

Lavrov ka thënë se Moska nuk do t’i përgjigjet ultimatumit të Britanisë për helmimin e Skripalit, derisa Londra të ofrojë qasje në agjentin nervor që dyshohet që është përdorur.

Skripal, një kolonel i inteligjencës i ushtrisë ruse, ka qenë i dënuar në Moskë më 2006 për “tradhti”, pasi ka kaluar sekrete te Shërbimi për Inteligjencë të Britanisë. Ai dhe katër të burgosur rusë ishin liruar më 2010, përmes një shkëmbimi të agjentëve rusë në Shtetet e Bashkuara.

Kryeministrja britanike Theresa May ka thënë se janë dy arsye të mundshme për të zbuluar agjentin nervor të prodhuar nga Rusia: se është përdorur “në një veprim të drejtpërdrejt nga shteti rus”, ose nëse Rusia “ka humbur kontrollin” e rezervave të saj kimike.

“Është e qartë se zoti Skripal dhe vajza e tij janë helmuar me agjent nervor të nivelit ushtarak, që është prodhuar në Rusi. Ky agjent i përket grupit të agjentëve të njohur si ‘Novichok’”, ka thënë May.

Ministria e Jashtme e Rusisë ka hedhur poshtë menjëhere pretendimet e kryeministres May, se Rusia qëndron prapa sulmit me agjent nervor.

“Në Parlamentin britanik është një shfaqje cirku”, citohet të ketë thënë zëdhënësja e Ministrisë, Maria Zakoharova, duke shtuar se këto akuza kanë bazë politike dhe janë të bazuara në provokim.

Përgatiti: Mimoza Sadiku