SHBA do të dërgojë luftanije në Detin e Zi?!

E publikuar: 06/12/2018 14:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rrjeti televiziv CNN raportoi se Shtetet e Bashkuara planifikojnë të dërgojnë anije luftarake në Detin e Zi.

CNN raportoi se zyrtarët ushtarakë amerikanë kanë kërkuar nga Departamenti i Shtetit të njoftojë Turqinë me planin që luftanija të kalojë nëpër ngushticat e Bosforit dhe të Dardaneleve, që ndajnë Stambollin dhe lidhin Mesdheun me Detin e Zi.

CNN citoi si burim për raportin tre zyrtarë amerikanë, të cilën nuk deshën të identifikoheshin.

Një traktat i vjetër me dekada, kërkon që të gjitha vendet që nuk kanë dalje në Detin e Zi, ta njoftojnë Turqinë 15 ditë më herët për kalimin e luftanijeve të tyre nëpër ujëra.

Dy nga zyrtarët e paidentifikuar i thanë CNN-it se plani nuk është finalizuar ende.

Në anën tjetër, komandanti Kyle Raines, zëdhënës i Flotës së Gjashtë të SHBA-së, tha për CNN-in se forcat amerikane kryejnë vazhimisht operacione për të avancuar sigurinë dhe stabilitetin përgjatë zonës së flotës së 6-të amerikane, që përfshin ujërat ndërkombëtarë dhe hapësirën ajrore të Detit të Zi.

“Ne rezervojmë të drejtën për të vepruar lirshëm në përputhje me ligjet dhe normat ndërkombëtare”, tha Raines.

NATO, që përfshin disa shtete anëtare të Detit të Zi dhe Shtetet e Bashkuara, ka dërguar vazhdimisht anije luftarake për të patrulluar në Detin e Zi, pavarësisht shqetësimeve të Rusisë.

Pas luftës pesëditëshe të Rusisë dhe Gjeorgjisë në vitin 2008, Uashingtoni ka ankoruar një luftanije për Flotën e Gjashtë amerikane jashtë brigjeve të Gjeorgjisë, në shenjë mbështetjeje për vendin.

Avionët dhe dronët mbikëqyrës të SHBA-së rregullisht fluturojnë mbi pjesën ruse të Detit të Zi, si dhe mbi Krime – gadishullin ukrainas që Moska ka aneksuar në vitin 2014. Avionët rusë vazhdimisht i kanë konfrontuar avionët mbikëqyrës.

Plani i raportuar i Shteteve të Bashkuara vjen në kohën e tensioneve të larta midis Kievit dhe Moskës, rreth një konfrontimi detar që ka ndodhur më 25 nëntor.

Rusia ka hapur zjarr ndaj anijeve detare të Ukrainës që kanë bërë përpjekje të kalojnë nën një një urë në Ngushticën Kërç, që lidh Rusinë me Krimenë.

Rusia ka kapur tri anije dhe 24 marinarë ukrainas, të cilët i ka akuzuar për kalimin ilegal të kufirit.

Veprimet ruse e kanë kufizuar qasjen e anijeve të Ukrainës në Detin e Azov dhe në portin tregtar, Mariupol.

Përgatiti: Valona Tela