SHBA dhe çështja bërthamore e Koresë së Veriut

E publikuar: 01/12/2017 20:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pasi u bëri thirrje të gjitha vendeve të ndërpresin lidhjet me Korenë e Veriut pas provës së fundit me raketë balistike, administrata e Trump nuk po flet më mbi ndryshimin e regjimit në Phenian.

Sekretarja e Shtypit në Shtëpinë e Bardhë i tha Zërit të Amerikës se kur është fjala për Korenë e Veriut, administrata është e përqendruar tek ç’nuklearizimi i gadishullit dhe se kjo është përparësia e saj e vetme.

Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis tha se diplomacia mbetet një qasje efektive në trajtimin e çështjes së Koresë së Veriut.

Nuk mund të them se diplomacia nuk ka funksionuar. Do të vazhdojmë të punojmë në mënyrë diplomatike dhe vendosmëri, nëpërmjet Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Sigurimit. Njëkohësisht diplomatët tanë do të flasin nga një pozitë e forcës, sepse ne i kemi opsionet ushtarake.

Presidenti Trump ka propozuar vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Koresë së Veriut krahas atyre të vendosura nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, që synon të ndërpresë burimet financiare dhe ato të furnizimit me karburant për programet e raketave bërthamore të Koresë së Veriut.