Shala takoi ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Maltës, kërkon rritjen e bashkimit ekonomik

E publikuar: 07/03/2019 11:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka pritur sot ministrin  e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, të Maltës, Carmelo Abela, ku diskutuan për thellimin e bashkëpunimit dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare.

Ministri Shala theksoi se marrëdhëniet e mira politike dhe diplomatike në mes dy shteteve të reflektohen edhe në aspektin ekonomik, duke u dakorduar për rritje të shkëmbimeve tregtare në mes Kosovës dhe Maltës.

“Kosova dhe Malta kanë marrëdhënie të shkëlqyera diplomatike. Unë dhe ministri Abela u dakorduam dhe u zotuam se këto marrëdhënie të mira në mes të dy shteteve në aspektin politik t’i shndërrojmë edhe në aspektin tregtar dhe besoj se ky takim të llogaritet si një fillim i mbarë që marrëdhëniet tona tregtare të kenë një nivel tjetër nga ai që është sot”, theksoi ministri Shala.

Ministri i MTI-së Endrit Shala e informoi ministrin e Maltës, Carmelo Abela, për mundësinë dhe potencialin që ofron Kosova për investitorët e huaj dhe për lehtësirat që i ofron Ligji për Investime Strategjike.

“Republika e Kosovës ofron mundësi të jashtëzakonshme për investitorët e huaj për shkak të shumë arsyeve, duke u nisur nga më e rëndësishmja që Kosova ka një rini shumë inovative dhe krijuese, po ashtu tatimet e favorshme dhe Ligji për Investime Strategjike i cili krijon lehtësira për çdo investitor që e ka në plan investimin në vendin tonë”, tha ministri Shala.

 
Shala falënderoi ministrin Abela për kontributin që ka dhënë për ndërtimin e shtetit të Kosovës nëpër etapa të ndryshme.

Ndërsa, ministrin i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Maltës, Carmelo Abela, tha se shteti i tij do të vazhdojë mbështetjen për Republikën e Kosovës duke e ndihmuar në aspektin e fuqizimit ekonomik dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare. /Infosot/