Shala: Nuk do të tolerohen bizneset që nuk vendosin flamujt e origjinës së produkteve

E publikuar: 05/02/2019 12:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, tha se nuk do të tolerohet asnjë subjekt afarist që nuk zbaton vendosjen e flamujve anash produktit të origjinës.

Shala në një konferencë për media, ka shtuar se Inspektorati i MTI-së është në terren për ta kontrolluar se a është duke u zbatuar Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit, përkatësisht neni që përcakton vendosjen e flamujve.

“Dëshiroj t’iu njoftoj që me qëllim të zbatimit në përpikëri të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, por edhe ligjeve të tjera nga sot kam kërkuar nga inspektorët që të vazhdoj me inspektimin me qëllim ta shikojmë se deri ku është zbatuar Ligji, përkatësisht neni që përcakton vendosjen e flamujve afër produktit të origjinës. Inspektorati nuk do të jetë më tolerant për asnjë subjekt, ku çdo pikë shitëse që vërtetohet që nuk është duke e zbatuar kushtet e parapara me Ligj”, tha Shala.

Ai ka kërkuar nga bizneset që ta zbatojnë këtë nen të Ligjit.

“Kërkoj nga të gjitha pikat shitëse në territorin e Kosovës që ta zbatojnë në përpikëri këtë nen të këtij Ligji dhe të mos lejojnë të krijohen manipulime të cilat janë duke u krijuar në disa produkte, ku produkti i prodhuar me një vend tjetër i vendoset një flamur tjetër”, tha ai.

Kujtojmë se ky nen ka hy në fuqi më 29 dhjetor 2018.