Seul: Prokurorët kërkojnë 30 vjet burg për ish presidenten Park

E publikuar: 28/02/2018 05:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokurorët në Korenë e Jugut kërkuan një dënim me 30-vjet burg për presidenten e shkarkuar Park Geun-hye në lidhje me një skandal të madh korrupsioni.

Kërkesa u bë të martën gjatë një seance dëgjimore në gjykatën e Seulit. Prokurorët kërkuan gjithashtu vendosjen e një gjobe prej 110 milionë dollarësh për ish-presidenten.

66-vjeçarja Park po gjykohet për akuzat e marrjes së rryshfetit, shpërdorim pushteti, përdorim force dhe rrjedhje të informacioneve sekrete qeveritare. Ajo akuzohet se ka përdorur zyrën e saj duke detyruar korporatat e mëdha të Koresë së Jugut t’i dhurojnë gati 70 milionë dollarë dy organizatave jo-fitimprurëse të kontrolluara nga Choi Soon -sil, mike e ngushtë e ish presidentes Park. Kjo e fundit u dënua gjatë këtij muaji nga gjykata me 20 vjet burg dhe me një gjobë prej rreth 17 milionë dollarësh për akuzat për shpërdorim pushteti, rryshfet dhe ndërhyrje në çështjet shtetërore.

Vendimi për presidenten Park pritet të jepet më 6 prill.