Serwer: Kosova do ta humbë mbështetjen e SHBA dhe BE nëse nuk e themelon Gjykatën

E publikuar: 29/06/2015 23:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Daniel Serwer, ish-diplomat amerikan dhe profesor në Johns Hopkins School of Advanced International Studies, në një intervistë për Gazetën Express ka thënë se Kosova do ta humbë mbështetjen e SHBA’ve dhe BE’së nëse Kuvendi nuk e themelon Gjykatën Speciale.

Serwer i ka thënë Gazetës Express se nëse ka vullnet politik vendimi mund të ndryshojë, pasi  kanë munguar vetëm 5 vota pro Gjykatës. Ish-diplomati amerikan ka theksuar se një vend që  kërkon njohje dhe pranim ndërkombëtar, duhet të tregojë gatishmëri t’i dënojë ata që kanë dëmtuar reputacionin e UÇK’së, duke kryer krime lufte.

Ai ka hedhur poshtë mundësinë që Kosova të merret me këto krime. Lexojeni të plotë intervistën me Serwer.

Express: Kosova e hodhi poshtë krijimin e Gjykatës Speciale në votimin e së premtes në Parlament. Ambasadorja amerikane, në Kombet e Bashkuara Samantha Power, disa ditë më parë, tha se kjo çështje do të jetë një test për kredibilitetin e liderëve të Kosovës. A do të përballet Kosova me pasoja në të ardhmen për këtë?

D.Serwer: Po, minimalisht, Kosova do të shihet si e pavullnetshme për të administruar drejtësinë ndaj atyre që e kanë dëmtuar reputacionin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke bërë krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe vrasje. Për një vend që është duke kërkuar njohje dhe pranim ndërkombëtar, nuk është gjë e mirë. Nuk ka asgjë patriotike në këto krime- një patriot i Kosovës duhet të kërkojë që ata që kanë kryer krime të dalin para drejtësisë.

Dua të shtojë menjëherë se kjo nuk është e lehtë për t’u bërë. Sidomos është e vështirë për sistemin gjyqësor të Kosovës, i cili në çdo rast nuk ka juridiksion për krimet e kryera në Shqipëri. Nuk ka mundësi reale për një proces gjyqësor serioz brenda Kosovës.

Express: Kryeministri Mustafa dhe Zëvendësi i tij Hashim Thaçi thanë se çështja e Gjykatës do të jetë shpejt në agjendën e Kuvendin duke e hedhur poshtë krijimin e Tribunalit nga Kombet e Bashkuara. A është vonë tani për këtë?

D.Serwer: Me sa unë e di amendamenti që kërkohet, nuk i morri 2/3 vetëm për 5 vota. Kjo mund të ndryshojë në të ardhmen nëse ka vullnet politik.

Express: Ambasadorja Amerikane në Prishtinë Tracey Ann Jacobson në reagimin e parë të saj tha se SHBA’të nuk do të përdorin veton kundër iniciativave në OKB për të krijuar një Tribunal. A mendoni se një Tribunal mund t’i imponohet Kosovës?

D.Serwer: Ministri i Jashtëm Thaçi e tha mirë në Parlament: “Ne i kemi dy opsione: që ta bëjmë këtë Gjykatë, bashkë me BE’në dhe SHBA’të, dhe t’i japim fund kësaj çështjeje një herë e përgjithmonë Brenda 3 deri në 5 vjet; ose të dështojmë dhe kjo të shkojë në Këshillin e Sigurimit të OKB’së, ku gjykata do të krijohet nga kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës dhe do të zgjasë 15 deri në 20 vjet.” Një fakt pikëllues është se Kosova në të ardhmen do ta ketë të vështirë që të marrë ndihma të ndryshme nga SHBA dhe BE, nëse ky vendim mbetet kështu siç është.