Seria A, Parma zyrtarisht e falimentuar

E publikuar: 20/03/2015 12:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

FC Parma shpalli zyrtarisht falimentimin. Pas muajsh të tërë përpjekjesh për të shpëtuar një prej klubeve më të mëdhenj në historinë e futbollit italian, gjykatësi Pietro Rogato vendosi të shpallë falimentimin e shoqërisë, duke i besuar mbikëqyrjen e klubit nga tani e deri në fund të sezonit, Angelo Aneddës dhe Alberto Guiottos.

Ata do të vlerësojnë kapitalin dhe të mirat e klubit, ndërsa skuadra do të përfitojë gjithsesi 5 milion eurot e akorduar nga Liga e Futbollit për të shlyer detyrimet financiare ndaj futbollistëve dhe paguar shpenzimet e skuadrës në këtë periudhë. Menjëherë me përfundimin e sezonit do të nxirren në ankand të mirat materiale të klubit, ndërsa do të nevojitet dhe rreth 1 muaj e gjysmë për vlerësimin e kapitalit të shoqërisë. Në rast se ndonjë blerës do të ofrohet gjatë kësaj periudhe për blerjen e klubit, përfshi dhe borxhin sportiv, që do të llogaritet nga mibkëqyrësit, atëherë Parma do të ketë mundësinë të nisë gjithcka nga kategoria ku gjendet në bazë të rezultateve, me shumë gjasa Serie B, duke qenë se shpëtimi duket i vështirë. Në rast të kundërt, nëse askush nuk afrohet për blerjen e klubit, atëherë skuadra do të nisë gjithçka nga kategoritë amatore, me një emër të ri, dhe me mundësinë, që dikush në të ardhmen të blejë dhe emrin dhe titullin sportiv sic ka ndodhur në të kaluarën me Fiorentinën. Gjithsesi nga tani e deri në fund, skuadra emiliane do t’i luajë normalisht ndeshjet e saj, përfshi dhe sfidën e kësaj të diele me Torinon./supersport/