Serbia vazhdon “armiqësinë” me Hagën, refuzon t’i ekstradojë tre kriminelë lufte

E publikuar: 31/03/2017 14:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Zëvendëskryeministri i Serbisë, Rasim Lajiq ka thënë se Serbia nuk do të ekstradojë tre radikalët e akuzuar nga Tribunali i Hagës, sepse nuk ka vendim nga gjykata serbe që ata të ekstradohen.
Lajiq, i cili është presidenti i Këshillit Kombëtarë për Bashkëpunim me Tribunalin e Hagës, u tha gazetarëve se pas vendimit të vitit të kaluar të Gjykatës së Lartë, nuk ka kushte për ekstradimin e tre anëtarëve të Partisë Radikale Serbe në Hagë.

“Duhet të respektojnë vendimin e gjykatës, pavarësisht a na pëlqen a jo. Ne nuk mund të veprojmë vullnetarisht në qoftë se duam të respektojmë parimet e demokracisë”, ka thënë Lajiq, transmeton lajmi.net.

Interpoli me kërkesë të Tribunalit të Hagës, lëshoi një “fletarrest të kuq” për tre anëtarë të Partisë Radikale Serbe, të cilët Tribunali i akuzon për mos respektim të gjykatës dhe të cilët nuk janë arrestuar nga autoritetet serbe.

Tribunali kërkon arrestimin e Petar Jojiq, Vjeriq Radeta dhe Steva Ostojiq, vendimi ka hyrë në fuqi më 16 mars. Interpoli ka njoftua gjykatën në Hagë më 24 mars.

Urdhrin për arrestimin e tyre, Tribunali ua kishte dorëzuar autoriteteve serbe në janar të vitit 2015, por ai nuk ishte zbatuar.

Gjykata e Lartë në Beograd vitin e kaluar vendosi se nuk ka baza ligjore për arrestimin dhe ekstradimin e tre radikalëve serbë, sepse ligji nacional për bashkëpunim me Hagën parasheh detyrime vetëm në rastet kur bëhet fjalë për persona të akuzuar për krime lufte, dhe jo edhe për mos respektim të gjykatës.